Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon hetim parlamentar për rezervat shtetërore!

vovalbania August 09, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon hetim parlamentar për rezervat shtetërore!

Partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon komision parlamentar hetimor për kontratat e Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë (MINT) për rezervat shtetërore. Në një konferencë për media, shef i grupit të LDK-së, Arben Gashi tha se në vjeshtë, në mbledhjen e parë të sesionit të Kuvendit do të kërkojnë formimin e këtij komisioni.

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë të dinë të vërtetën. E vërteta është zgjidhja e duhur. Keqpërdorimet dhe abuzimet eventuale aktuale me rezervat shtetërore kërkojnë qasje hetimore, serioze dhe përmbajtësore. Përveç hetimeve penale që duhet t’i bëjë Prokuroria e Shtetit është e domosdoshme të bëhen edhe hetime parlamentare për të parë nëse janë respektuar ligjet e procedurat për rezervat shtetërore.

Kërkesa për hetim parlamentar nga LDK-ja vjen pas publikimit të disa audio-regjistrimeve nga portali Nacionale, ku flitet për keqpërdorime të kontratave për blerjen e rezervave shtetërore nga MINT-i.

Nacionale raporton për import të grurit me çmim më të shtrenjtë nga një kompani ndërtimi në Turqi. Ky portal bëri të ditur se kompania turke ende nuk e ka çuar në Kosovë sasinë e grurit për të cilën pagoi qeveria e Kosovës.

Në vitin 2010, në Kosovë u miratua ligji “Për rezervat shtetërore”. Sipas këtij ligji, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile e në shumë raste të ngjashme.

Rezervat shtetërore të mallrave sigurohen në bazë të Planit Strategjik Afatmesëm, por administrohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë.

Sipas ligjeve në fuqi, komisionet hetimore themelohen për të hetuar probleme, çështje ku direkt janë të përfshira përgjegjësitë qeveritare apo shtetërore. Këto organe ngrihen për konstatimin e përshkrimin e rrjedhës së ngjarjeve apo me qëllim qartësimin e asaj që ka ndodhur dhe përcaktimit të përgjegjësisë së atyre që ishin të përfshirë.

Komisionet hetimore kanë si qëllim dhe informimin, rekomandimin e ushtrimin e mbikëqyrjes parlamentare e arritjen e një përfundimi.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49154 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE