112 milion euro për bonusin e bebeve në 4 vite/33% e përfituesve janë të porsalindurit jashtë!

vovalbania August 10, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
112 milion euro për bonusin e bebeve në 4 vite/33% e përfituesve janë të porsalindurit jashtë!

Sipas Monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë, nga nisja e programit mbështetës për dhënien e bonusit të bebeve, për periudhën 2019-2022, nga Buxheti i Shtetit janë shpenzuar 11,5 miliardë lekë apo rreth 112 milion euro.

Referuar të dhënave, totali i bebeve përfituese është për 161,943 të porsalindur. Sipas të dhënave të INSTAT-it, numri i lindjeve për vitet 2019-2022 është 108,535, çka rezulton se 33% apo 53,408 bebe përfituese të bonusit jetojnë jashtë.

Po sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, për periudhën janar-prill, bonusi i bebeve është shpërndarë për 12,123 të porsalindur, ndërsa fondi i shpenzuar llogaritet të jetë në vlerën e 900 milion lekëve. Krahasuar me 2022-shin, numri i bebeve përfituese është me rënie 4%. Vitin e kaluar, bonusin e përfituan 12,628 bebe, ndërsa fondi i shpërndarë është i njëjtë me periudhën e 2023-shit.

Bonusi i bebes është një politikë e re sociale që po zbatohet nga qeveria prej 1 janarit 2019 e që mbështet familjet nëpërmjet dhënies direkte të çekut me vlerën e 40 mijë lekëve për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin e 120 mijë lekë për fëmijën e tretë. Bonusi përfitohet për të gjithë fëmijët e regjistruar në Shqipëri, edhe nëse foshnja ka lindur jashtë shtetit, në formën e çekut që tërhiqet nga nëna.

Për shkak të numrit të lartë të bebeve përfituese jashtë Shqipërisë, në muajin maj, te konsultimet publike, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale publikoi projektligjin “Për një shtesë dhe një ndryshim në Ligjin Nr. 57/2019 “Për Asistencën Sociale në Republikën e Shqipërisë”, ku pika 1 e nenit 9 të ligjit përjashton nga përfitimi i këtij bonusi personat që nuk janë rezidentë në Shqipëri.

Ishte

Neni 9

Përfitues i ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi i bebes)

1. Përfitues të ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi i bebes) për foshnjën e porsalindur janë prindi/prindërit e fëmijës.

2. Masa dhe procedura e dhënies së ndihmës së menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura dhe mënyra e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të shërbimit spitalor dhe atyre të gjendjes civile përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 11

Personat jopërfitues Nga ky ligj nuk përfitojnë: a) shtetasit shqiptarë, që banojnë jashtë vendit si emigrantë, me përjashtim të përfituesve sipas pikës 1 të nenit 9, të këtij ligji.

Bëhet

Neni 1

Në Nenin 9, pika 1, në fund të fjalisë shtohet togfjalëshi “…të cilët janë rezident në Republikën e Shqipërisë.”

Neni 2

Shkronja “a” e Nenit 11, riformulohet si vijon:“a) shtetasit shqiptarë, që nuk janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë”./Monitor

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49174 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE