Të paktën 24 viktima nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut në Indi!

vovalbania August 14, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Të paktën 24 viktima nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut në Indi!

Në Indi, të paktën 24 persona kanë humbur jetën, nëntë prej të cilëve si pasojë e shembjes së një tempulli ndërsa me dhjetëra të tjerë janë zhdukur gjatë përmbytjeve e rrëshqitjes së dherave pas shirave të rrëmbyer në këtë shtet. Lajmin e dhanë sot zyrtarët.

Prej disa ditësh, shirat e vrullshëm kanë rrënuar ndërtesat dhe shkatërruar urat në shtetet veriore Uttarakhand e Himachal Pradesh.

Vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut janë të zakonshme e shkaktojnë shkatërrim të madh gjatë sezonit të shirave në Indi, por ekspertët thonë se ndryshimi klimatik është duke e rritur shpeshtësinë e ashpërsinë e tyre.

Sukhvinder Singh Sukhu, shefi i qeverisë së shtetit më të prekur, Himachal Pradesh, tha se të paktën 16 persona humbën jetën në 24 orët e fundit, përfshirë nëntë nga shembja e një tempulli hindu në kryeqytetin e shtetit, Shimla.

Administrata lokale është duke punuar me përkushtim për të larguar mbetjet, në mënyrë që t’i shpëtojë njerëzit të cilët kanë mbetur të bllokuar.

Sukhu u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre e të mos shkojnë në afërsi të lumenjve. Shkollat në këtë shtet janë mbyllur.

Në shtetin Uttarakhand, ekipet e shpëtimit nxituan për të larguar mbetjet, pasi ekziston shqetësimi se ka njerëz të bllokuar nën to, pas rrëshqitjes së dherave si pasojë e shirave të dendur.

Të paktën tetë persona kanë gjetur vdekjen që nga e premtja në këtë shtet, siç njoftuan zyrtarët.

Sezoni i shirave i çon Azisë Jugore rreth 80 për qind të shirave vjetorë dhe është jetësor për bujqësinë e të tjera mjete jetike për miliona njerëz. Por, njëkohësisht sjell dhe shkatërrim çdo vit, në formën e vërshimeve e po ashtu rrëshqitjes së dheut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE