Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, policia e Beratit tregon masat e marra!

vovalbania August 18, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, policia e Beratit tregon masat e marra!

Sot nis pelegrinazhi në Malin e Tomorrit dhe që do të zgjasë për një javë. Policia e Beratit ka ndërmarrë një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Ky plan ka si objektiva: Parandalimin e aksidenteve rrugore, garantimin e qarkullimit të lehtësuar të përdoruesve të akseve rrugore të qarkut, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të pelegrinazhit në malin e Tomorrit, pelegrinazh i cili do të zhvillohet gjatë periudhës 18-25 gusht 2023. Në zbatim të këtij plani masash, janë planëzuar shërbime shtesë në të gjitha akset rrugore që të çojnë në malin e Tomorrit, si dhe në ambientet e jashtme të objektit të kultit (teqesë).

Ky plan masash do të përmbushet nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në bashkëpunim me FNSH Fier, Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore, organet e pushtetit vendor, PMNZSH-në, Spitalin Rajonal të Beratit dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.

Për drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të malit të Tomorrit (drejt teqesë), itinerari do të jetë:

Hyrja e qytetit të Beratit-Rrethrrotullimi i Kombinatit-Unaza e qytetit- Rrethrrotullimi i Uznovës-Kryqëzimi i Plirëzit-Teqeja e Kulmakut.

Itinerarët për drejtuesit e mjeteve që kthehen nga Mali i Tomorrit (nga teqeja):

Teqeja e Kulmakut-Bargullaz-Pronovik-Poliçan-Uznovë-Rruga kryesore “Antipatrea”-Rrethrrotullimi i Kombinatit dhe Teqeja e Kulmakut-Novaj- Bogovë-Poliçan-Uznovë-Rruga kryesore “Antipatrea”-Rrethrrotullimi i Kombinatit.

Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës, këshillohen të përdorin aksin Çorovodë-Gjerbës-Teqeja e Kulmakut dhe anasjellas.

KUFIZIME:

-Në akset Vlashuk Kuçovë-Berat, Ura Kuçit-Dimal-Berat, Pobrat-Dimal-Berat, Berat-Mali i Tomorrit, Berat-Çorovodë dhe Çorovodë-Gjerbës-Mali i Tomorrit, nuk do të lejohen të qarkullojnë mjetet e tonazhit të rëndë nga ora 06:00-24:00, gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit.

-Autobusët, furgonat me mbi 8 persona dhe minibusët nuk do të lejohen të qarkullojnë në aksin Plirëz-Teqeja e Kulmakut-Mali i Tomorrit.

-Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor Plirëz-Teqeja e Kulmakut, qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë dhe nuk lejohen parakalimet.

-Gjithashtu, ndalohet qëndrimi dhe pushimi i mjeteve në akset rrugore. Drejtuesit e mjeteve duhet të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë për vendet ku do të lejohet qëndrimi e parkimi i mjeteve.

Përmes këtij komunikimi për shtyp, ju risjellim në vëmendje zbatimin rigororoz të rregullave të qarkullimit rrugor, respektimin e limiteve të shpejtësisë, mosdrejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit, evitimin e përdorimit të celularit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe përdorimin e rripit të sigurimit.

Gjithashtu, informojmë të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët që do të marrin pjesë në këtë pelegrinazh, se në të gjitha akset rrugore dhe në ambientet përreth teqesë së Kulmakut, 24 orë e deri në përfundim të pelegrinazhit do të ketë prezencë të shërbimeve të Policisë, të cilat do t’ju asistojnë dhe japin ndihmë, në çdo rast nevoje.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat ju falënderon për mirëkuptimin e ju uron pelegrinazh të mbarë!

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51609 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE