Ndërron jetë Toto Cutugno, reagon kryeministri Rama: “Ishte privilegj të jetoja njëkohësisht me një legjendë si ti”!
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vdekjes së kantautorit italian Toto Cutugno. Në një postim në rrjetin e tij social Facebook, Rama shkruan:
Ishe një italian i madh, i vërtet, duhej të takoheshim këtë verë në Valona por Zoti vendosi të të le të prehesh në paqe, ndërsa këngët e tua mbeten të regjistruara përgjithmonë në zemrat e shumë shqiptarëve. Faleminderit për gjithçka Toto Cutugno, ishte privilegj të jetoja njëkohësisht me një legjendë si ti!
Artisti italian, i cili u bë i njohur në të gjithë botën për këngën e vitit 1983, “L’Italiano” mbylli sytë përgjithmonë në moshën 80-vjeçare. Cutugno, emri i të cilit ishte Salvatore, ndërroi jetë në Spitalin San Raffaele të Milanos, pasi vuante prej kohësh nga një sëmundje, e cila u bë më e rëndë në muajt e fundit.
I lindur në Toskanë nga një baba sicilian, Cutugno fitoi gjithashtu në vitin 1990 Eurovision Song Contest me këngën “Insieme: 1992”. Ai fitoi dy herë Festivalin e Këngës në Sanremo. Në vitin 2019, një grup muzikantësh ukrainas u përpoqën ta ndalonin të performonte në Kiev duke thënë se ai ishte një simpatizant rus si ylli i tij veteran i Italisë, Al Bano.