Përplasjet në PD, replika dhe ironi Bardhi-Basha!

vovalbania September 04, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Përplasjet në PD, replika dhe ironi Bardhi-Basha!

Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi u përfshinë në replika në distancë lidhur me vendimet e Kuvendit Kombëtar të PD-së që çuan në shkarkimin e Bardhit si kryetar grupi. Por, ai nuk e njeh këtë vendim dhe sot nga oborri i Parlamentit iu bëri thirrje të gjithë deputetëve që të marrin pjesë në takimin e thirrur për nesër prej tij. Me ironi tha se Basha duhet të mbledhë 18 vota që të zgjidhet kryetar i grupit të PD-së dhe se është gati t’i japë votën e 19-të. Po me doza ironie u shpreh:

Mos u çudisni kur të dalë e të shpallet mbret i Anglisë!  Kreu i grupit zgjidhet nga deputetët. Deri ditën që do të kem shumicën, unë do të jem kreu i grupit. E kam marrë si përgjegjësi në një moment të vështirë. Ripërsëris apelin që nëse Basha ka ambicie për t’u bërë kryetar i grupit, në këtë moment i duhet të sigurojë vetëm 18 vota, vota e 19-të do jetë e Gazment Bardhit. Po e deklaroj publikisht. Kaq borxh ia kam për hir të bashkëpunimit.

Nuk vonoi përgjigjja e Lulzim Bashës për Gazment Bardhin, po nga oborri i Kuvendit.

Si kryetar i PD-së, i ngarkuar edhe me detyrën e kreut të grupit kam ndërmend ta delegoj këtë detyrë te një nga nënkryetarët e grupit, siç ka qenë përherë. Thirrja ime për çdo deputet është që tani është momenti të shohim përtej interesave personalë, përtej frikërave që mund të ketë shkaktuar konflikti, se në fund të fundit janë shprehur mbi 4 mijë delegatë të PD-së dhe ata janë një fuqi reale.

Sali Berisha dhe deputetët që e mbështesin konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Gazment Bardhi. I pyetur nga gazetarët nëse nesër do të jetë pjesë e tryezës, Berisha u shpreh se po, do të marrin pjesë, duke shkuar aty. Ftesën e konsideroi “hap pozitiv”.

Para zgjedhjeve lokale për kreun e Bashkisë Kukës ku sërish shkojnë të përçarë me kandidatë nga Berisha e Basha, sot demokratët përballen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Beteja është për regjistrimin si subjekt zgjedhor nën siglën zyrtare. Ndonëse nuk priten surpriza sa i përket vendimmarrjes së KQZ-së, Sali Berisha po tenton të sigurojë regjistrimin si Partia Demokratike.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49266 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE