Albin Kurti akuzon aleatët e Rusisë për minimin e dialogut Kosovë-Serbi!

vovalbania September 06, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Albin Kurti akuzon aleatët e Rusisë për minimin e dialogut Kosovë-Serbi!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzon “aleatët e Rusisë” se përmes dezinformimit dhe sjelljeve të tjera keqdashëse në fushën kibernetike, po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Në samitin “Open Government Partnership” në Talin të Estonisë, Kurti tha se këto veprime po intensifikohen në Kosovë.

Në Kosovë, përpjekjet nga aleatët e Rusisë për të shtrembëruar të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen, janë të dukshme dhe po intensifikohen. Gjatë kohës së ndjeshme kur shteti ynë është i përkushtuar në procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara për të normalizuar raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë, por edhe për përfshirjen e plotë të minoriteteve në proceset demokratike të shtetit, pa ndikim nga jashtë, këto kërcënime kibernetike, sikurse dezinformimi, bullizimi kibernetik dhe forma të tjera janë veçmas përcaktuese.

Edhe në të kaluarën, autoritetet në Kosovë kanë akuzuar Rusinë se po shtyn aleaten e saj Serbinë, që të nxisë tensione në Kosovë, përkatësisht në veriun e banuar me shumicë serbe. Por, këto pretendime janë hedhur poshtë nga Kremlini.

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian vazhdimisht kanë paralajmëruar për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

Në një raport të mëparshëm të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë thuhej se ndikimi i Rusisë në Kosovë mund të interpretohet si “keqdashës” dhe “armiqësor”. Por, theksohej se operacionet ruse të ndikimit “kryesisht kufizohen te serbët e Kosovës”.

Komentet e sotme të Kurtit vijnë disa ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Serbia synon të zbatojë një plan të ngjashëm me atë që zbatoi Rusia në Ukrainë më 2014-ën.

Osmani iu referua aneksimit të paligjshëm të Krimesë dhe mbështetjes së separatistëve pro-rusë në luftën e tyre kundër forcave ukrainase në rajonin lindor të Donbasit.

Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e plotë të raporteve me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Raundi i ri i dialogut pritet të zhvillohet më 14 shtator, pas disa muajsh rritjeje të tensioneve mes dy vendeve.

Tensionet u rritën në fund të shkurtit në veri të Kosovës, pasi banorët serbë që jetojnë në atë zonë, po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë. Autoritetet qendrore kanë ndërmarrë hapa që do të mundësonin shkarkimin e kryetarëve komunalë përmes një peticioni.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48935 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE