Mes sulmeve ruse, kryediplomati amerikan Blinken viziton Kievin!

vovalbania September 06, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Mes sulmeve ruse, kryediplomati amerikan Blinken viziton Kievin!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken po viziton Kievin ku mbërriti  disa orë pasi kryeqyteti ukrainas u shënjestrua nga sulmet ruse me raketa. Nuk ka njoftim zyrtar mbi qëllimin e vizitës, por po zhvillohet disa ditë pasi presidenti Volodymyr Zelensky shkarkoi ministrin e Mbrojtjes e të tjerë zyrtarë, pas shqetësimeve për përfshirje në korrupsion për prokurimin e pajisjeve ushtarake.

Një zyrtar amerikan i cituar nga Associated Press dhe CNN, tha se vizita e Blinkenit ka për qëllim vlerësimin e kundërofensivës tremujore ukrainase e sinjalizon vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kievin.

Po ashtu, Blinken do të njoftojë për një paketë të re të ndihmës, në vlerë 175 deri në 200 milion dollarë. Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, Amerika i ka dërguar ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë mbi 43 miliardë dollarë.

Në qershor, Ukrainas filloi kundërofensivën ndaj forcave ruse në jug dhe në lindje të vendit. Pavarësisht se po zhvillohet më ngadalë nga sa pritej, javën e kaluar, Amerika njoftoi se forcat ukrainase kanë bërë përparim të dukshëm në rajonin lindor të Zaporizhjës.

Kjo është vizita e katërt që Blinken kryen në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin, shkurtin e vitit të kaluar.

Para vizitës, Rusia sërish shënjestroi kryeqytetin ukrainas me raketa lundruese. Përmes një postimi në Telegram, Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake në Kiev, tha se mbrojtja ajrore ka rrëzuar raketat. Autoritetet lokale nuk raportuan për viktima apo dëme nga sulmet në kryeqytetin ukrainas.

Në Izmail, në jugperëndim të Odesës, të paktën një person u vra pas sulmeve me dronë. Porti që gjendet në Izmail e nga ku po eksportohen produktet bujqësore, po ashtu pësoi dëme.

Izmaili gjendet në kufi me Rumaninë, shtet anëtar i NATO-s dhe është shndërruar në rrugë kryesore për raportimin e drithërave e të produkteve të tjera bujqësore të Ukrainës, pasi në korrik Rusia u tërhoq nga marrëveshja për drithërat.

Marrëveshja që u ndërmjetësua nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara mundësonte eksportin e sigurt të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.

Që nga tërheqja nga marrëveshja, Rusia ka intensifikuar sulmet në rajonet e Odesës e Milkolajivit, ndërsa po vazhdojnë përpjekjet për ringjalljen e marrëveshjes.

Gjatë vizitës në Ukrainë, Blinken pritet të diskutojë me zyrtarë për rrugët alternative për eksportimin e drithërave ukrainase.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE