Nuk ndalet Rusia, sërish sulmon portin e Odesës në Ukrainë!

vovalbania September 07, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Nuk ndalet Rusia, sërish sulmon portin e Odesës në Ukrainë!

Sot në mëngjes, infrastruktura e portit ukrainas u dëmtua nga një sulm i ri me dronë ndërsa Rusia thotë se ka rrëzuar dronë në afërsi të Moskës e dy rajoneve të tjera.

Një depo gruri dhe ndërtesa administrative u dëmtuan në Izmail, port në Danub në jugperëndim të Odesës.

Një person u lëndua gjatë sulmit, i katërti në këtë port në pesë ditët e fundit.

Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës së eksportit të drithërave të Ukrainës në mesin e bisedimeve për ringjalljen e marrëveshjes së drithërave, që do të lejonte eksportet e sigurta të grurit nga portet ukrainase në Detin e Zi.

Moska u largua nga kjo marrëveshje në korrik 2023, një vit pas arritjes së saj me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara e të Turqisë.

Në Rusi, autoritetet thanë se kanë rrëzuar dronë në afërsi të Moskës, në rajonin jugor të Rostovit e në atë Brynaks në jugperëndim.

Sipas agjencisë së lajmeve TASS, tri ndërtesa u dëmtuan në qytetin Rostov, 1 mijë kilometra në jug të Moskës. Ky qytet ku jetojnë 1 milion banorë është bazë e qarkut jugor të ushtrisë ruse. Po ashtu u raportua për një shpërthim në afërsi të selisë qendrore të forcave të armatosura.

Vasily Golubev, guvernator i rajonit të Rostovit, tha se një person mbeti i plagosur pas rrëzimit të një droni në qendër të qytetit.

Në Brijansk, nga copëzat e dronëve të shkatërruar u dëmtuan dritaret në stacionin e trenit e pati dëme edhe në makina të parkuara aty pranë.

Sulmet e reja me dronë vijnë një ditë pasi 17 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga një goditje ruse me raketa, në një treg në lindje të Ukrainës.

Zhvillimet e reja vijnë në kohën kur Ukraina po vazhdon kundërofensivën e saj në jug e në lindje kundër forcave ruse, të cilat kanë nisur pushtimin e Ukrainës në shkurtin e vitit të kaluar.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49463 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE