Tërmeti në Marok, mbi 2 mijë viktima/Marokenët fjetën në rrugë!

vovalbania September 10, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tërmeti në Marok, mbi 2 mijë viktima/Marokenët fjetën në rrugë!

Vazhdon të rëndohet bilanci i tërmetit tragjik që shkundi Marokun, mbrëmjen e 8 shtatorit, më 23:11 minuta. Mbi 2 mijë viktima e më shumë se 2 mijë të plagosur, qindra prej tyre në gjendje të rëndë. Një bilanc i destinuar të vijojë të rëndohet ndërsa mbreti Muhammad VI shpalli tre ditë zie kombëtare në vendin e Afrikës së Veriut ku lëkundja me magnitudë 7 Rihter i kapi në befasi marokenët.

Disa menduan për një shpërthim bombe, të tjerë, për një avion të përplasur me ndonjë hotel, pa e kuptuar menjëherë se ishte një tërmet e madje shumë shkatërrimtar që u ndje deri në Spanjë. Epiqendrën e kishte 16 km nga fshati Tata N’Yaaqoub.

Sipas Kryqit të Kuq, emergjenca mund të zgjasë me vite. Ka një apel urgjent për të dhuruar gjak. Qyteti antik i Marakeshit u dëmtua rëndë. Epiqendra ishte 70 km larg kësaj Pasurie të Njerëzimit, e njohur si e tillë nga UNESCO. U rrëzuan mure, si dhe minareja e një xhamie të vogël, pikërisht për shkak të afërsisë me provincën Al-Haouz në një zonë malore në qendër të Marokut.

Dëmet shtrihen në një rreze prej mbi 400 km. Ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë pa ndaluar në terren, të panumërt janë ata që qëndrojnë në radhë për të dhuruar gjak.

Në mbarë botën, organizata e shoqata bamirësie janë mobilizuar për të ndihmuar Marokun, mes parashikimeve të Kryqit të Kuq se “në Marok mund të duhen ndihma për muaj e ndoshta vite të tëra”.

Lajmi dhe imazhet e shkatërrimit nuk lanë indiferentë liderët botërorë që shprehën solidaritet dhe u ofruan për të dërguar ndihma e mbështetje.

Mesazhe mbështetjeje edhe nga Algjeria “armike”. Me një vendim të cilësuar “të jashtëzakonshëm”, autoritetet e këtij vendi ranë dakord të hapin hapësirën ajrore për të lejuar fluturimet humanitare drejt Marokut.

Kujtojmë se në vitin 2021, Algjeria e mbylli për avionët civilë dhe ushtarakë marokenë, pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Marokun.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49611 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE