Euro e nis edhe këtë javë në rënie, zbret përsëri poshtë 107 lekëve!

vovalbania September 11, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Euro e nis edhe këtë javë në rënie, zbret përsëri poshtë 107 lekëve!

Edhe këtë javë, euro e nisi me rënie në kursin e këmbimit me lekun. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, euro zbriti poshtë nivelit të 107 lekëve, për herë të parë që nga 23 gushti. Monedha europiane u këmbye me 106.87 lekë, në rënie me 0.45 lekë që nga fundi i javës së kaluar. Krahasuar me datën 25 gusht kur arriti nivelin më të lartë të tre muajve të fundit, kursi i këmbimit euro-lek ra me 3.71 pikë.

Oferta e monedhës europiane vazhdon e bollshme, ndërsa kërkesa për të është zbehur gradualisht, pas një kërcimi të fortë në pjesën e fundit të muajit gusht. Ekspertët mendojnë se rritja e kërkesës ishte e përkohshme dhe ndoshta shumë agjentë ekonomikë kanë kryer blerje në avancë, edhe për periudhën e vjeshtës.

Një sjellje e tillë mund të shpjegohet me pritshmërinë për një forcim gradual të euros pas muajit shtator. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Nëse shumë subjekte i kanë përmbushur nevojat valutore afatshkurtra që në muajin gusht, mund të jetë e kuptueshme që kërkesa të ketë pësuar gradualisht rënie dy javët e fundit.

Nga ana tjetër, prurjet valutore mbeten të larta, edhe pse piku i sezonit veror ka kaluar. Ekspertët vërejnë se vitet e fundit, sezoni veror është zgjatur ndjeshëm në kohë e është më pak i përqendruar vetëm në periudhën korrik-gusht.

Tashmë, efektet e turizmit në kursin e këmbimit valutor po shfaqen të ndjeshme edhe në muajt qershor e shtator. Kjo konfirmohet edhe nga vlerësimet e operatorëve turistikë, që kanë dëshmuar një shfrytëzim të lartë ta kapaciteteve të hotelerisë edhe në shtator.

Një situatë e tillë ka bërë që rritja e fortë e euros në fund të muajit gusht të “shfryhet” gradualisht.

Edhe valutat e tjera kryesore e nisën javën në rënie. Dollari zbriti poshtë kufirit të 100 lekëve dhe u këmbye me 99.68 lekë. Edhe paundi britanik, për herë të parë zbriti në tre javë poshtë nivelit të 125 lekëve, duke u këmbyer me 124.85 lekë.

Në kursin e këmbimit, leku i fortë po luan rol të rëndësishëm në kufizimin e presioneve inflacioniste nga jashtë. Gjithashtu, forcimi i monedhës vendase ndaj euros ka dhënë një ndikim pozitiv në buxhetet e familjeve dhe subjekteve që kanë kredi në monedhën europiane e të ardhura në lekë. Mbiçmimi i lekut ka neutralizuar rritjen e ndjeshme të normave të interesit të kredive me interes të ndryshueshëm në euro. Por, forcimi i lekut po prodhon efekte negative për sektorët eksportues dhe sidomos për ata të fasonerisë. Në një analizë që publikuan në fillim të këtij muaji, eksportuesit vlerësonin humbje në vlerën e afërsisht 35 milion eurove nga mbiçmimi i lekut për 6-mujorin e parë të vitit.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51531 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE