Plagosi me armë në bark punonjësin e “Shqiponjave”, arrestohet pas disa orësh autori!

vovalbania September 21, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Plagosi me armë në bark punonjësin e “Shqiponjave”, arrestohet pas disa orësh autori!

Autori i plagosjes së inspektorit Edlir Alleshi, pjesë e patrullës së forcave ”Shqiponja”, Klered Bozhanaj ka rënë në prangat e policisë.

Policia e ka arrestuar teksa ka tentuar të futet në banesën e tij në Tiranë, pasi 42-vjeçari arriti t’ia mbathte një natë më parë.

“Policia vë në pranga autorin e plagosjes me armë zjarri të punonjësit të Policisë mbrëmjen e djeshme. Në vijim të veprimeve kërkimore të kryera nga strukturat e DVP Tiranë, për kapjen e autorit të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, shtetasit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, i cili ka tentuar të vrasë me armë zjarri punonjësin e Policisë, inspektor E. A., ju informojmë se: Gjatë kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Klered Bozhanaj, strukturat e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar autorin e dyshuar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë, e përdorur gjatë krimit”, sipas policisë.

Një ditë më parë, me anë të një njoftimi policia vuri në dispozicion 20 mijë euro që kushdo që e sheh të njoftonte policinë në numrin 112 për çdo informacion të vlefshëm.

Gjatë mbrëmjes efektivi iu nënshtrua një ndërhyrje mjekësore pasi plumbi në zonë e barkut i kishte prekur disa organe, ndërsa e ka kaluar rrezikun për jetën.

Sot ai ndodhet në pavion të spitalit të Traumës ku është vizituar nga kolegë dhe të afërm që kanë thënë se gjendja e tij është stabilizuar.

Ngjarja është regjistruar dje në zonën e Oxhakut në kryeqytet, ku dy patrulla kanë konstatuar një person të dyshimtë dhe kanë kërkuar të ndalojë për kontroll fizik pasi kishin marrë raportime se ishte i rrezikshëm.

Kur i ka kërkuar të ndalojë, ai nuk është bindur dhe është larguar me vrap duke detyruar policinë të vihet në ndjekje të tij.

Për të humbur gjurmët, ai është përgjigjur me armë kjo bëri që operacioni të ndërpritej. Më pas janë mbledhur pamjet filmike në zonë dhe është bërë i mundur identifikimi i autorit, Klerent Bozhanaj, i cili nuk rezulton me precedent të mëparshëm penal. Ai ka qenë emigrant në Itali dhe është kthyer muajin e kaluar në Tiranë.

Familjarët e tij ndërkohë janë shoqëruar në polici me qëllim që të dorëzohej apo të jepnin informacione të vlefshme. Ata kanë treguar se kohët e fundit ai ka paraqitur shenja depresioni, por nuk ka marrë ndihmë mjekësore për problemet që ka shfaqur.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48934 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE