Shqipëria në krah të Kosovës, reagime për sulmin me një polic të vrarë në veri!

vovalbania September 24, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Shqipëria në krah të Kosovës, reagime për sulmin me një polic të vrarë në veri!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dënon me forcë sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagos një tjetër, në orët e para të mëngjesit, në veri të Kosovës. Për kryetarin e shtetit, “ky akt i organizuar kriminal është cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Presidenti i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar “të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroj shërim të shpejtë për policët e plagosur. Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR-in dhe aleatët. Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dënoi me ashpërsi sulmin me armë ndaj Policisë dhe shtetit të Kosovës. Në një postim në rrjetet sociale, kryediplomati shkruan:

Dënojmë me ashpërsi sulmin me armë ndaj Policisë dhe shtetit të Kosovës.

Ngushëllimet tona për familjen e oficerit të Policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe shërim të shpejtë efektivit të plagosur.

Akti i sotëm kriminal është kërcënim për sigurinë e stabilitetin e rajonit tonë dhe autorët duhet të përballen sa më parë me drejtësinë.

Shqipëria është në krah të Kosovës në këto momente të vështira që kërkojnë gjakftohtësi, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e partnerët.

Me ata që dënuan ngjarjen është bashkuar edhe Sali Berisha:

Duke u përulur me nderim të thellë para sakrificës sublime të policit që ra në krye të detyrës dhe shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve, të afërmve të tij, uroj shërim të shpejt të policit të plagosur dhe dënoj me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar kriminal, të frymëzuar dhe sponsorizuar nga ultranacionalistë në pushtet të Beogradit. Uroj që autorët e këtij akti të përballen me ligjin me të gjithë forcën e tij!

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51228 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE