Zgjedhjet në Kukës, kandidati Halilaj apelon për pjesëmarrje të votuesve/”BF” denoncon presione!

vovalbania September 24, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Zgjedhjet në Kukës, kandidati Halilaj apelon për pjesëmarrje të votuesve/”BF” denoncon presione!

Në Kukës ku po mbahen zgjedhjet për kryebashkiakun që do të zëvendësojë Safet Gjicin, kandidati socialist, Albert Halilaj i bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote, të dalin në votime e të zgjedhin alternativën më të mirë.

Pas votimit, Halilaj vlerësoi se kjo ishte e vetmja fushatë zgjedhore pa incidente.

Nga qytetarët e Kukësit, unë pres pjesëmarrje në votim, për të votuar një djalë që do t’i shërbejë Kukësit. E vetmja fushatë që s’kemi pasur një incident, i përgëzoj për vlerat që kanë përcjellë. I ftoj të votojnë alternativën më të mirë dhe më bindëse për këtë qytet të mrekullueshëm.

Halilaj ka përballë Emri Vatën, kandidat i propozuar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Shtabi i Vatës denoncon duke pretenduar se drejtorë e zyrtarë po i bëjnë presion qytetarëve në qendrat e votimit.

Referuar të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, deri në orën 12:00, pjesëmarrja ishte 9.97%. Sipas KQZ-së, në listat e votimit janë të regjistruar 45 946 persona me të drejtë vote, 22 174 prej të cilëve votuese femra dhe 23 772 janë votues meshkuj.

Si subjekte zgjedhore, në këto zgjedhje janë regjistruar pesë parti politike: PS, PL, PD, PDK dhe PEI. Po si subjekt zgjedhor është regjistruar edhe koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Zgjedhësit votojnë në 74 qendra, një prej të cilave e ngritur në institucionin e paraburgimit të qarkut Kukës. Për identifikimin e tyre zbatohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) e përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit.

Votuesi duhet të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim ose pasaportë biometrike, për t’u identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përveç dokumentit të identifikimit lë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm.

Në 37 qendra votimi, katër anëtarë të komisionit ndahen mes PD-së dhe PL-së. Ndërsa në 37 të tjera, përbërja e komisioneve të qendrave të votimit është me tre anëtarë të propozuar nga PS, tre nga PD dhe një i propozuar nga PL.

Këto zgjedhje i kushtojnë Buxhetit të Shtetit 25 457 496 lekë.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49451 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE