Vrasja e efektivit në veri, Kosova mbyll Bërnjakun/Amerika dënon ashpër sulmin ndaj policisë!

vovalbania September 24, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Vrasja e efektivit në veri, Kosova mbyll Bërnjakun/Amerika dënon ashpër sulmin ndaj policisë!

Kryeministri Albin Kurti ishte në spital për të vizituar policin e plagosur sot në Banjskë të Leposaviçit, në sulmin me një viktimë ndaj policisë së Kosovës, për të cilin Prishtina akuzon Beogradin. Alban Rashiti mbeti i lënduar, ndërsa kolegu i tij, Afrim Bunjaku u vra.

Ata ishin pjesë e njësiteve policore që në orët e para të mëngjesit u dërguan për të zhbllokuar urën në hyrje të Banjskës e ku qëndronin dy kamionë pa targa. Policia e Kosovës njoftoi se efektivët u sulmuan me armë zjarri e granata nga disa pozicione në këtë pjesë të veriut të Kosovës, me shumicë serbe e ku vazhdimisht ka aktivizim të tensioneve.

I lënduari që fatmirësisht është jashtë rreziku për jetën po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Kurti tha se iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, në anën e majtë të kraharorit.

Sipas faqes së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, pikëkalimi i Bërnjakut mes Kosovës dhe Serbisë u mbyll. Ky pikëkalim është mbyllur disa herë edhe në të kaluarën, bashkë me të Jarinjës, në kohën e rritjes së tensioneve mes dy vendeve.

Ndërkaq, Kurti ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar zhvillimet e fundit që detyruan presidenten Vjosa Osmani të ndërpresë vizitën në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OKB.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dënon ashpër ato që i quan “sulme të dhunshme e të orkestruara ndaj Policisë së Kosovës”, në veri.

Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave e situatave të krizës.

Duke komentuar vrasjen e efektivit, diplomati i Uashingtonit thekson se fajtorët duhet të mbahen përgjegjës e të përballen me drejtësinë. Hovenier vë në dukje se vlerëson koordinimin e vazhdueshëm mes Policisë së Kosovës, misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit, EULEX.

Ndërkaq, i shprehu ngushëllime familjarëve të policit të vrarë dhe i uroi shërim të shpejtë të plagosurit. Reagon opozita shqiptare. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thirrje që Beogradi të dënojë ngjarjen. Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kërkon të ndëshkohen autorët.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49393 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE