Vrasja e policit në veri të Kosovës, presidentja Osmani ndërpret vizitën në Nju Jork!

vovalbania September 24, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Vrasja e policit në veri të Kosovës, presidentja Osmani ndërpret vizitën në Nju Jork!

Pas zhvillimeve të fundit në veri që kulmuan me vrasjen e një efektivi të policisë dhe plagosjen e një tjetri, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndërpret vizitën zyrtare në Nju Jork ku ndodhet në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Bekim Kupina, këshilltar për media i kryetares së shtetit, konfirmoi se Osmani ka anuluar të gjitha aktivitetet e planifikuara për nesër e të martën, për t’u kthyer menjëherë në Prishtinë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Nju Jork, shkaku i zhvillimeve në veri të vendit, i ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën në Nju Jork dhe qysh sot do të niset për në Kosovë.

Më herët përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Osmani reagoi lidhur me ngjarjen e rëndë në fshatin Banjska të Leposaviçit, duke e cilësuar “sulm ndaj Republikës së Kosovës” dhe “krim të organizuar e të orkestruar nga bandat kriminale serbe”.

Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Për ngjarjen reaguan të tjerë zyrtarë të lartë e opozita. Kryeministri Albin Kurti:

Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca:

I kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës.

Kryetari i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjithashtu e drejtoi gishtin e akuzës për nga Beogradi e bëri një thirrje:

Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 02:30 minuta të mëngjesit pasi njësitet policore të njoftuara për një urë të bllokuar në Banjskë u sulmuan me armë zjarri e granata nga disa pozicione.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48935 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE