Sveçla: 6 terroristë po kurohen në Novi Pazar, Serbia të na i dorëzojë

vovalbania September 26, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sveçla: 6 terroristë po kurohen në Novi Pazar, Serbia të na i dorëzojë

Drejtori i Policisë së Kosovës dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dolën në një konferencë për shtyp për të dhënë detaje mbi zhvillimet e së dielës në veri të Kosovës, ku 4 anëtarë të grupeve paramilitare kanë mbetur të vdekur pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, prej të cilave humbi jetën edhe rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa dy policë të tjerë u plagosën.

Ministri i Brendshëm kërkoi nga Serbia që 6 persona, të cilët, sipas tij, po kurohen në Novi Pazar pas shkëmbimit të zjarrit me Policinë e Kosovës, t’i dorëzohen autoriteteve kosovare për t’u përgjigjur para drejtësisë.

“Policia jonë u ballafaqua me një sërë sulmesh të mirorganizuara, që u kryen nga individë jocivilë, por njësi profesionale të mbështetura nga Serbia. Ata, përveç armatimeve, kanë pasur dhe autoblinda, me të cilat zhvilluan operacionin e tyre. Falë profesionalizmit të policisë sonë, plani i tyre dështoi. Asnjë person civil nuk është lënduar. Sipas informacioneve, 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit dhe kërkojmë nga Serbia që ata të dorëzohen menjëherë tek autoritetet e Kosovës”, tha Sveçla.

“Kemi gjetur edhe harta e plane që tregojnë për organizimin e gjatë dhe të mirëmenduar. Kjo tregon për një organizim terrorist të udhëhequr nga Beogradi. Pra, nuk është organizim i shpejtë. I gjithë armatimi i sekuestruar, që është sasi e madhe, kuptohet që ka pasur plan për përfshirjen e qindra personave. Aty ka edhe armë të vitit 2021, që janë furnizim nga ushtria e Serbisë”, shtoi Sveçla.

Drejtori i Policisë së Kosovës bëri me dije se personat që sulmuan Policinë e Kosovës ishin të armatosur edhe me raketahedhës.

“Kemi gjetur disa armë automatike dhe raketahedhës brenda manastirit. 24 mina kundër këmbësorisë, 54 predha, 75 granata dore, 8 mina antitank, 150 dinamit, 6 mitraloz të gjatë, 30 kallashnikovë, 6 armë me dylbi, 3 revole, 235 karikatorë kallashnikovi, 21 antiplumb, 3 dronë, 15 dylbi nate, 32 radiolidhëse, 4 kamera, 107 çanta ushtarake, 115 uniforma ushtarake, 6 harta satelitore, 23 maska, 20 lopata, 3 motosharra dhe shumë medikamente mjekësore”, tha drejtori i Policisë së Kosovës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50566 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE