Ushtari amerikan që u fut me vrap në Korenë e Veriut tashmë në duart e autoriteteve amerikane

vovalbania September 27, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Ushtari amerikan që u fut me vrap në Korenë e Veriut tashmë në duart e autoriteteve amerikane

Travis King, ushtari amerikan që u fut rreth dy muaj më parë në Korenë e Veriut ndodhet në paraburgim, nën mbikëqyrjen e autoriteteve amerikane njoftuan të mërkurën dy zyrtarë amerikanë të cilët folën në kushte anonimiteti.

Një prej zyrtarëve tha se zoti King ishte lëshuar përmes Kinës.

Më herët të mërkurën, Koreja e Veriut bëri të ditur se do të dëbonte ushtarin amerikan Travis King, i cili u fut më 18 korrik në këtë vend përmes asaj që njihet si zona e çmilitarizuar, në kufi me Korenë e Jugut.

Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut tha se autoritetet kanë përfunduar së marri në pyetje ushtarin, por nuk dha detaje se kur është planifikuar dëbimi i tij dhe se ku do të ndodhë.

Zoti King, i cili kishte shërbyer në Korenë e Jugut, ishte në mesin e një grupi turistësh që po vizitonin një fshat në kufirin mes dy Koreve, përpara se të shkëputej prej tyre, e të futej me vrap në territorin e Koresë së Veriut. Ai u bë amerikani i parë i konfirmuar që arrestohej nga Pheniani, në gati pesë vjet.

Në kohë, zoti King supozohej të kthehej në bazën ushtarake amerikane në Fort Bliss të Teksasit, pas vuajtjes së një dënimi me burg në Korenë e Jugut, i akuzuar për sulm fizik.

Të mërkurën, Agjencia Shtetërore e Lajmeve e Koresë së Veriut tha se zoti King kishte rrëfyer se kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në këtë vend për shkak të asaj që e cilësoi “keqtrajtim çnjerëzor dhe diskriminim racor në radhët e ushtrisë amerikane”. Po kështu sipas agjencisë zoti King ishte shprehur “i zhgënjyer për pabarazinë që ekziston në shoqërinë amerikane”.

Kjo agjenci i ka atribuar edhe më parë komente të ngjashme zotit King, por verifikimi i vërtetësisë së tyre është i pamundur.

Pas disa javë heshtjeje, Koreja e Veriut konfirmoi në gusht se kishte arrestuar 23 vjeçarin Travis King dhe se po hetonte rrethanat në të cilat ai kishte kaluar kufirin.

Zoti King ishte në mesin e rreth 28,000 trupave amerikane të vendosura në Korenë e Jugut me qëllimin për të parandaluar një agresion të mundshëm të Koresë së Veriut. Zyrtarët amerikanë shprehën shqetësim mbi gjendjen e ushtarit, për shkak të keqtrajtimit që Pheniani u ka bërë disa të burgosurve amerikanë në të kaluarën.

Kalimet e paautorizuara në atë që njihet si zona e çmilitarizuar që ndan dy Koretë, janë jashtëzakonisht të rralla. Ata pak amerikanë që kanë kaluar në Korenë e Veriut në të shkuarën, kanë qenë ushtarë, misionarë, aktivistë të të drejtave të njeriut ose ata thjesht kureshtarë që kanë dashur të shohin se si jetojnë shoqëritë më të mbyllura të botës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50114 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE