Radoiçiç konfirmon pjesëmarrjen dhe organizimin e sulmit në Banjskë!

vovalbania September 29, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Radoiçiç konfirmon pjesëmarrjen dhe organizimin e sulmit në Banjskë!

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç e pranoi se ishte në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite, që kulmuan me vrasjen e rreshterit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Deklaratën e bëri përmes një letre të lexuar nga avokati i tij, Goran Petronijeviç në Beograd.

Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër e nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time.

Avokati vuri në dukje se për veprimet e tij, nuk ka njoftuar askënd nga strukturat qeveritare serbe apo politike lokale në veri të Kosovës. Madje, as nuk e ka pranuar ndihmën e tyre. Referuar kryeministrit Albin Kurti, theksoi:

Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit duke mbrojtur njerëzit tanë që çdo ditë i ekspozohen atij terrori.

Kjo është hera e parë që Radoiçiçi reagon publikisht, pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Kanë kaluar 5 vjet nga koha kur presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç pretendonte se nuk e njihte dhe kurrë nuk kishte biseduar me Radoiçiçin. Ndërkaq, tani shprehet se “ai nuk është akademik, por i mbron serbët në Kosovë”. Nga ana tjetër thotë se do të merret në pyetje nga drejtësia, çka e bën shumë çorientues qëndrimin e Vuçiçit për numrin dy të Listës Serbe.

Më herët gjatë ditës, Policia e Kosovës kreu kontrolle në pesë vende të tre komunave në veri, pas sulmit të armatosur ndaj forcave të rendit më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit ku u vra efektivi Afrim Bunjaku.  Si pasojë e përplasjeve të policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë të veriut të banuar me shumicë serbe, humbën jetën edhe tre sulmues. Kontrollet nisën pas orës 06:00 të mëngjesit e nuk pati persona të arrestuar. Aksioni u zhvillua në koordinim me misionet EULEX dhe KFOR.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49308 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE