Tensionet në veri të Kosovës, NATO miraton forca shtesë!

vovalbania September 29, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tensionet në veri të Kosovës, NATO miraton forca shtesë!

NATO-ja njofton se miratoi forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës, pas tensioneve në rritje në këtë zonë të banuar me shumicë serbe. Njoftimin e dha shefi i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg:

Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i ta përmbushë mandatin e tij.

Po ashtu, zyrtari i lartë bëri thirrje për “shtensionim urgjent” të situatës. Më herët gjatë ditës, nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç e pranoi se ishte në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite, që kulmuan me vrasjen e rreshterit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Deklaratën e bëri përmes një letre të lexuar nga avokati i tij, Goran Petronijeviç në Beograd.

Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër e nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time.

Avokati vuri në dukje se për veprimet e tij, nuk ka njoftuar askënd nga strukturat qeveritare serbe apo politike lokale në veri të Kosovës. Madje, as nuk e ka pranuar ndihmën e tyre. Referuar kryeministrit Albin Kurti, theksoi:

Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit duke mbrojtur njerëzit tanë që çdo ditë i ekspozohen atij terrori.

Kjo është hera e parë që Radoiçiçi reagon publikisht, pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. Ndërkaq, Prishtina nuk ka patur dyshime se ai qëndron pas zhvillimeve të fundit të rënda.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48935 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE