Presidenti Vuçiç: Serbia nuk do të dërgojë trupa në Kosovë!

vovalbania October 01, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Presidenti Vuçiç: Serbia nuk do të dërgojë trupa në Kosovë!

Aleksander Vuçiç “nuk ka ndër mend të urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë. Presidenti serb  pretendon se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi. Ndërkaq, nënvizoi se përshkallëzimi i konfliktit do të ishte “kundërproduktiv kur bëhet fjalë për dëshirën e Serbisë” për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian.

Vuçiç i quan “joproporcionale” paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara, duke thënë se numri i forcave serbe në terren “është duke u zvogëluar”. Për “Financial Times”, deklaroi:

Vitin e kaluar kishim 14 mijë njerëz pranë vijës administrative, sot kemi 7 mijë e 500 e do t’i reduktojmë në 4 mijë. Serbia nuk dëshiron konflikt.

Pse do të ishte e dobishme për Beogradin? Cila do të ishte idea? Të shkatërrohet pozicioni që kemi ndërtuar për një vit? Ta shkatërrojmë atë brenda një dite? Serbia nuk dëshiron luftë. Serbia nuk do të përfitonte nga kjo sepse do të kërcënonte pozicionin e saj në negociatat me Prishtinën me ndërmjetësimin e BE-së.

Dy ditë më parë, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”. Dje, Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Europian, po ashtu i kërkuan Serbisë t’i tërheqë trupat e zhvendosura rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Njësitet policore u përballën me një grup të armatosur kur shkuan për të kontrolluar bllokimin me kamionë pa targa të një rruge pranë një ure në Banjskë. Për pasojë mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit ku vazhduan përplasjen me policinë e tre prej tyre u vranë. Policia e Kosovës e mori nën kontroll manastirin, po më 24 shtator. Tre sulmues të dyshuar janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim në Prishtinë.

Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e tij e mori Milan Radoiçiç, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Që nga viti 2013, Prishtina dhe Beogradi zhvillojnë një dialog për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e Brukselit. Normalizimi është vendimtar për përparimin e të dy vendeve drejt anëtarësimit.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50878 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE