Vuçiç: Brenda 24 orëve dalin dëshmitë për ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë!

vovalbania October 01, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Vuçiç: Brenda 24 orëve dalin dëshmitë për ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë!

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç zotohet që brenda 24 orëve të publikojë provat dhe rrëfimet e dëshmitarëve që ishin në vendngjarje në Banjskë ku të dielën e kaluar u sulmua me armë policia e Kosovës. Për pasojë u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Po ashtu u vranë tre sulmues serbë.

Në një video të publikuar në Instagram, Vuçiç thekson:

Serbia nuk do të gjejë qetësi derisa të dihet e vërteta për atë që ndodhi në Banjskë, më 24 shtator.

Kujtojmë se dy ditë më parë, Milan Radoiçiç mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës e më pas dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë dhe që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kohë më parë, Vuçiç u kujdes ta falënderonte Radoiçiçin për “ruajtjen e serbëve në Kosovë”, para se të deklaronte më vonë se do të merret në pyetje nga drejtësia. Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se është përfshirë në sulmin e cilësuar “terrorist” nga autoritetet kosovare.

Në Banjskë, si dhe në afërsi të këtij fshati të Zveçanit në veri, Policia e Kosovës gjeti e konfiskoi një arsenal të madh armësh, pas sulmit. Për BBC-në, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i tha BBC-së se sasia dhe lloji i tyre tregojnë se “sulmuesit serbë nuk i siguruan vetë”.

Ndërkaq, Vuçiç shtoi:

Kur u vranë tetë policë në Maqedoninë e Veriut, ata nuk ishin terroristë. Por kur u vra një polic shqiptar, i cili nuk duhej të ishte atje, të gjithë serbët deri në moshën 14 vjeç duhet të hetohen, arrestohen dhe vriten.

Dje, Aleksander Vuçiç bëri të ditur se “nuk ka ndër mend të urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë. Presidenti serb  pretendon se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi. Ndërkaq, nënvizoi se përshkallëzimi i konfliktit do të ishte “kundërproduktiv kur bëhet fjalë për dëshirën e Serbisë” për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian.

Vuçiç i quajti “joproporcionale” paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara, duke thënë se numri i forcave serbe në terren “është duke u zvogëluar”. Për “Financial Times”, deklaroi se Serbia nuk dëshiron konflikt. Ai shtoi se Beogradi nuk do të përfitonte nga një gjë e tillë, sepse do t’i kërcënonte pozicionin në negociatat me Prishtinën me ndërmjetësimin e BE-së.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50549 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE