Britania e Madhe dërgon trupa shtesë në Kosovë, pas sulmit në veri!

vovalbania October 02, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Britania e Madhe dërgon trupa shtesë në Kosovë, pas sulmit në veri!

Me kërkesë të KFOR-it, Britania e Madhe do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, pas sulmit vdekjeprurës ndaj policisë më 24 shtator, në veri. Ditët në vijim, Ministria britanike e Mbrojtjes do të zhvendosë rreth 200 forca shtesë në kontigjentin me aktualisht 400 ushtarë britanikë në Kosovë.

Kjo njësi e ushtrisë britanike do t’i bashkohet forcës së NATO-s në Kosovë, pas një kërkese specifike nga komandanti suprem i Aleancës për Europën, SACEUR, gjenerali amerikan Chris Cavoli.

Vendimi i NATO-s për shtimin e trupave paqeruajtëse në Kosovë vjen një javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në Banjskë, në komunën e Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Pasi në një pritë sulmuan një patrullë të policisë dhe vijuan konfrontimin me policinë, sulmuesit serbë u strehuan në manastirin e fshatit. Tre prej tyre u vranë. Policia e Kosovës gjeti e konfiskoi një arsenal të jashtëzakonshëm armësh në Banjskë dhe përreth fshatit.

Një ditë më parë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se kanë mbledhur prova që dëshmojnë se Serbia u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës dhe se sulmuesit u përgatitën për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe brenda Serbisë.

Mbi 90 persona morën pjesë në sulmin kundër Policisë së Kosovës.

Të premten, përgjegjësinë për atë që ndodhi më 24 shtator e mori Milan Radoiçiç, i cili më pas dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Serbia i mohon akuzat e Kosovës se është përfshirë në këtë sulm të cilësuar “terrorist” nga autoritetet kosovare.

Pak ditë pas sulmit, Serbia e mohoi se po zhvendos ushtrinë pranë kufirit me Kosovën, pasi Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe autoritetet kosovare i bënë thirrje ta tërheqë ushtrinë përgjatë kufirit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49212 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE