Për më shumë mbështetje për Ukrainën, Zelensky në Spanjë!

vovalbania October 05, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Për më shumë mbështetje për Ukrainën, Zelensky në Spanjë!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky udhëtoi drejt Granadas në Spanjë, për të marrë pjesë në një samit me liderë europianë. Zelensky po rrit përpjekjet për të siguruar më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën ndërsa po përballet me pushtimin rus.

Lufta e Rusisë vijon prej muajit shkurt të vitit të kaluar, por mbështetja ndaj Kievit ka nisur të zbehet në disa shtete. Zelensky dhe 46 udhëheqës të tjerë shtetërorë pritet të takohen në Granada, në kuadër të një takimi të thirrur nga Komuniteti Politik Europian, forum unik i përbërë prej 27 vendeve anëtare dhe 20 shteteve të tjera të Europës e Kaukazit. Në X, presidenti ukrainas shkroi:

Synimi ynë i përbashkët është që të garantojmë siguri dhe stabilitet për shtëpinë tonë europiane. Ne jemi duke punuar së bashku me partnerët për ta përmirësuar arkitekturën europiane, sidomos sigurinë rajonale. Ukraina ka propozime thelbësore në këtë drejtim. Prioriteti kyç i Ukrainës është përmirësimi i mbrojtjes ajrore, para uljes së temperaturave.

Infrastruktura e energjisë së Ukrainës është goditur rëndë nga Rusia dimrin e vitit të kaluar, duke përballur miliona ukrainas me situata shumë të vështira. Zelensky shkoi në Spanjë në kohën kur po raportohet se tre civilë janë vrarë në Ukrainë si pasojë e bombardimeve ruse në 24 orët e fundit, një në rajonin Donjeck dhe dy në qytetin Herson.

Përgjatë natës, forcat ruse dhe ukrainase e kanë sulmuar njëra-tjetrën me dronë, duke shkaktuar dëme infrastrukturore në qendër të Ukrainës dhe po ashtu probleme me energjinë elektrike në një rajon kufitar rus.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Në fokus të takimit në Granada janë edhe tensionet Kosovë-Serbi e Armeni-Aazerbajxhan.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48719 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE