“Tempulli” në Mat, 2 në pranga për shitje narkotikësh pranë shkollave!

vovalbania October 07, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
“Tempulli” në Mat, 2 në pranga për shitje narkotikësh pranë shkollave!

Në vijim të megaoperacionit të koduar “Tempulli” kundër shpërndarjes së drogave pranë shkollave, në Mat policia arrestoi dy shtetas me banim në Burrel, njëri prej tyre i dënuar më parë për “Falsifikim monedhash”.

Njoftimi zyrtar i policisë:

Si rezultat i patrullimeve të vazhdueshme në afërsi të çdo shkolle në territorin e qarkut, me qëllim zbatimin e Paketës së Sigurisë në shkolla dhe parandalimin e depërtimit të krimeve, në këto ambiente, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Dibër, dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, goditën një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në afërsi të këtyre ambienteve.

Shërbimet e Policisë arrestuan shtetasit Xh.C., 24 vjeç; E.K.,31 vjeç, (i dënuar më parë për veprën penale ‘Falsifikimi i monedhave’), të dy banues në Burrel.

Këta shtetas u kapën në dy vende të ndryshme të qytetit të Burrelit, ku 24-vjeçarit iu gjet e fshehur në mjetin e tij një sasi lënde narkotike e ndarë në qese ndërsa 31-vjeçarit iu gjet e fshehur brenda një ndërtese të vjetër një sasi tjetër lënde narkotike, të cilën e kishte amballazhuar në dy kavanozë qelqi.

Këta shtetas e kishin ndarë lëndën narkotike, me qëllim shitjen e saj, në afërsi të shkollave. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49702 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE