Tensionet në Lindjen e Mesme/Hamas godet me raketa, kundërpërgjigjet ushtria izraelite!

vovalbania October 07, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tensionet në Lindjen e Mesme/Hamas godet me raketa, kundërpërgjigjet ushtria izraelite!

Rikthehen tensionet në Lindjen e Mesme. Ushtria izraelite po shënjestron objektiva të Hamasit palestinez në Gaza, pasi në orët e para të mëngjesit, grupi militant goditi me raketa jugun e Izraelit. Në shtetin hebraik, autoritetet lëshuan alarme për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë Jerusalemin dhe Tel Avivin.

Një zëdhënës i ushtrisë njoftoi se një shtëpi në Tel Aviv u godit nga një raketë, por ende nuk ka raportime për të lënduar apo viktima. Ndërkaq, një grua 70-vjeçe mbeti e vrarë po në jug të Izraelit.

Hamasi publikoi një deklaratë ku theksonte se mbi 5 mijë raketa janë lëshuar në atë që e ka quajtur “Operacioni Përmbytja Al-Aksa”.

Ne kemi vendosur t’i japim fund të gjitha krimeve të pushtuesit. Ka mbaruar koha e tyre për të kryer krime, pa mbajtur përgjegjësi!

Mediat palestineze pretenduan se militantë të armatosur kanë kaluar kufirin nga Gaza për në Izrael, ndërsa më herët, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit shkruan në “X” se “një numër terroristësh janë infiltruar në territorin izraelit nga Rripi i Gazës”.

Raportohet se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu u nis drejt Tel Avivit për një takim urgjent me zyrtarët e sigurisë. Po ashtu, ministri i Mbrojtjes autorizoi që të thirren në detyrë rezervistët e ushtrisë.

Sulmi vjen në kohën kur në Izrael po shënohet një festë fetare hebraike. Gjithashtu, vjen pas një periudhe luftimesh intensive në Bregun Perëndimor, ku pothuajse 200 palestinezë u vranë nga ushtria izraelite gjatë bastisjeve këtë vit. Ndërkaq, si pasojë e sulmeve palestineze kundrejt objektivave  izraelite humbën jetën mbi 30 vetë.

Izraeli ka mbajtur një bllokadë strikte në Gaza që kur Hamasi mori territorin në vitin 2007. Kufizimi i lëvizjes së mallrave dhe njerëzve ka shkatërruar ekonominë në Gaza, por Izraeli ka thënë se bllokada është e nevojshme për të parandaluar që armët të shkojnë te grupet militante. Izraeli e ka pushtuar Bregun Perëndimor në vitin 1967, gjatë asaj që njihet si lufta gjashtëditore.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49212 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE