Tentuan të trafikonin armë nga Shqipëria drejt Greqisë, 2 të arrestuar në Kapshticë!

vovalbania October 07, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tentuan të trafikonin armë nga Shqipëria drejt Greqisë, 2 të arrestuar në Kapshticë!

Dy persona ranë në prangat e Policisë Kufitare në Kapshticë, pasi në automjetin e tyre u gjetën armë zjarri dhe municione, me qëllim trafikimin e tyre nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Blutë iu sekuestruan një automjet tip “Benz”, tre armë zjarri automatikë, një pistoletë, krehra të armëve të zjarrit e një sasi municioni luftarak.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet:

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve me përzgjedhje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe krimeve të tjera kufitare, nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë u parandalua dhe u godit një rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri, nga Shqipëria drejt Greqisë. Si rezultat i bashkëpunimit me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, u arrestuan në flagrancë shtetasit: 41 vjeç (i dënuar më parë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”) dhe 40 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Në bazë të analizës së riskut shërbimet e Policisë Kufitare përzgjodhën për kontroll në vijë të dytë automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin 41 vjeç dhe pasagjer 40-vjeçarin.

Gjatë kontrollit me skaner u krijuan dyshime se në sediljen e prapme të automjetit ishin fshehur sende të kundërligjshme dhe për këtë arsye efektivët e policisë ushtruan kontroll më të detajuar ku gjetën 3 armë zjarri automatik, 1 pistoletë, 5 krehra me fishekë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat së bashku me automjetin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49533 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE