Sveçla: Në sulmin në Banjskë mori pjesë bashkëpunëtori i afërt i djalit të Vuçiçit!

vovalbania October 08, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Sveçla: Në sulmin në Banjskë mori pjesë bashkëpunëtori i afërt i djalit të Vuçiçit!

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një dokument personal të një serbi, që sipas tij janë gjetur pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Sipas Sveçlës, dokumenti i përket Millorad Jevtiçit që njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danillo Vuçiç, djalit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“Nga pesë vizitat e fundit të djalit të Vuçiçit në Kosovë, katër herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë”, pretendon Sveçla.

Ai tha se gjetja e këtij dokumenti dëshmon se Jevtiç ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj policisë së Kosovës. Ministri kosovar tha po ashtu se Jevtiç është identifikuar si një ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës.

“Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiçit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij i përfshirë në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, shkroi Sveçla në Facebook.

Më 24 shtator, një grup i armatosur sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë polici Afrim Bunjaku. Më pas, grupi i sulmuesve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.

Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues. Kosova ka fajësuar për këtë sulm, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka pranuar se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Kosova ka publikuar dëshmi për përfshirjen e Radoiçiçit në ngjarjet në veri, përfshirë edhe pamje të incizuara me dron, ku ai shihet i veshur me uniformë dhe i armatosur në manastirin e Banjskës më 24 shtator. Pas sulmit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë e cila kërkon një hetim ndërkombëtar për të përcaktuar rolin e Serbisë në sulmin në Banjskë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin, teksa u kanë bërë thirrje palëve që të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Në BE po ashtu disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. Blloku evropian ka deklaruar se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49594 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE