Shisnin online bileta për Shqipëri-Çeki në Air Albania, 4 të proceduar penalisht!

vovalbania October 12, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Shisnin online bileta për Shqipëri-Çeki në Air Albania, 4 të proceduar penalisht!

Me anë të mashtrimit reklamonin në rrjetet sociale dhe shisnin online bileta për ndeshjen Shqipëri-Çeki që luhet sonte në Air Albania, me çmime deri në 400 euro, identifikohen dhe procedohen penalisht katër shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale, pas informacioneve të siguruara për disa shtetas, të cilët reklamonin në rrjete sociale dhe shisnin me anë të mashtrimit, bileta për ndeshjen e ditës së sotme, me çmime shumë të larta, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S.A., 35 vjeç, R.H., 22 vjeç, A.O., 31 vjeç dhe E.Gj., 34 vjeç, të katërt banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas kishin krijuar një skemë mashtrimi për shitjen e biletave për ndeshjen Shqipëri-Çeki, me çmime që shkonin deri në 400 euro.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Më herët, Policia e Shtetit publikoi planin e masave për ndeshjen Shqipëri-Çeki. Nga ora 15:00 e deri në përfundim të takimit bllokohen bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 metra mbi urën e Dajtit; rrugët “Papa Gjon Pali II”; “Dervish Hima”, pranë ambasadës amerikane; “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”; “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i Liceut; “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; “Jul Variboba”, në afërsi të postës; “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës dhe rruga “Abdyl Frashëri”.

Policia e Shtetit kujton se hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Portat e hyrjes në stadiumin Air Albania hapen në orën 17:00 dhe tifozëve iu kërkohet të paraqiten në kohë e të zbatojnë rregullat që të mos krijohen radhë ose vonesa.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48953 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE