Gjermani/ Shtatë të vdekur nga përmbysja e furgonit me emigrantë në Bavari !

vovalbania October 13, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Gjermani/ Shtatë të vdekur nga përmbysja e furgonit me emigrantë në Bavari !

Shtatë njerëz duke përfshirë dhe një fëmijë, kanë humbur jetën sot pasi një furgon i mbushur me pasagjerë të dyshuar si emigrantë, është përmbysur në jug të Gjermanisë.

Në furgonin që përdorej nga trafikanët gjendeshin më shumë se 20 persona kur supozohej të mbante vetëm nëntë, thanë autoritetet.

Shoferi kishte tentuar t’i largohej policisë në një ndalim, para se të humbiste kontrollin pranë qytezës së Ampfing në Bavari.

Aksidenti i rëndë vjen mes një rritje të trafikut të qenieve njerëzore në vendet e Evropës qendrore e lindor dhe shtimit të kontrolleve të policisë mbi problemin.

Policia gjermane tha se kishte tentuar të ndalonte furgonin tip Mercedes Vito në orët e para të së premtes.

Por shoferi i mjetit me targa të Austrisë kishte shtuar shpejtësinë në rreth 180km/orë para se të humbte kontrollin e të rrokullisej disa herë në një kryqëzim të autostradës A94 mes kufirit austriak dhe Munich. Drejtuesi i mjetit është arrestuar.

Policia tha se tejmbushja e mjetit kishte shtuar numrin e viktimave të aksidentit, ku përfshihej dhe një fëmijë gjashtë vjeçar.

Aksidente të ngjashme me trafikantët e emigrantëve janë raportuar gjithë e më shpesh në Evropë muajt e fundit.

Dje një makinë me targa franceze që besohej se transportonte emigrantë u përmbys në Hungari, duke lënë dy të vdekur dhe gjashtë të plagosur.

Ndërsa një javë më parë një mjet me emigrantë të dyshuar u përplas në Burghausen, pranë kufirit Gjermani-Austri duke lënë katër të plagosur.

Kërkesat e azilit në Gjermani janë shtuar me 78% në shtatë muajt e parë të 2023, në krahasim me 2022, thonë autoritetet.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48772 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE