Macron në Tiranë: Vuçiç të dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit!

vovalbania October 17, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Macron në Tiranë: Vuçiç të dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit!

Emmanuel Macron pret që Aleksander Vuçiç t’i dënojë në mënyrë të prerë sulmet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit kundër Policisë së Kosovës, me pasojë vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Në Tiranë ku doli në një konferencë shtypi me kryeministrin Rama, presidenti i Francës tha se ka ndjekur tensionet Kosovë-Serbi dhe vuri në dukje se është përgjegjësi e të dyja palëve që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës.

Siç e dini, ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet mes Prishtinës dhe Beogadit. Franca e Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes, që mendoj se është i fortë dhe i mirë e presim të respektohet nga të dyja palët. Eshtë përgjegjësi e Vuçiçit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi. Në etapat e ardhshme, ajo që presim nga të dyja palët është e thjeshtë: Riorganizim të zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrje të serbëve në zgjedhje e institucione, krijimin e Asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare, kësaj here plotësisht. Pres që Vuçiç të jetë i përgjegjshëm e të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja e kryeministri i Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri Rama theksoi se shqiptarët në rajon janë në ditët e tyre më të mira, por sipas tij, “Kosova e ka futur veten në një kurth”.

Dje në samit folëm me Kurtin dhe Bërnabiçin për situatën. Po sjell një fjalë të Mark Ruttes kur iu drejtua të dyve: Mos harroni kurrë se një kompromis më shumë se çfarë do të fitosh është çfarë nuk duhet të humbasësh! Nëse bëjmë një llogari të gjërave për t’u humbur nga shqiptarët është shumë më e madhe e me kosto më të lartë se llogaria e atyre që duam të fitojmë duke i marrë këto që kemi si të mirëqena që nuk i humbim.

Shqiptarët në rajon janë në ditët e tyre më të mira. Kosova është futur vetë në një kurth që ia ka bërë vetes. Do të ishte dramatike të humbiste të drejtën për të hyrë në BE. Të dyja palët kanë një plan, ai franko-gjerman, që është më i miri që mund t’i ndodhë Kosovës.

Rama rikujtoi shembullin që i tha ish-presidenti amerikan, Bill Clinton kur ishte për vizitë në Shqipëri.

Thuaju miqve të mi në Prishtinë se si i ndodhi Palestinës (ende pa nisur sulmet). Arafat kishte në tryezë marrëveshjen më të mirë të mundshme, Izraeli tha se do ta firmosë, të nesërmen ndërroi mendje. Palestina është shkatërruar jo nga Izraeli, por nga klasa e saj politike. E mira e madhe e Kosovës është ta firmosë e të ekzekutojë gjithë marrëveshjen edhe sikur Serbia të mos e dojë kurrë, pastaj t’ia lërë në dorë BE-së.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50115 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE