Specialja liron nga burgu Hysni Gucatin, ish-kreun e OVL-UÇK!

vovalbania October 17, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Specialja liron nga burgu Hysni Gucatin, ish-kreun e OVL-UÇK!

Dhomat e Specializuara në Hagë modifikuan dënimin ndaj ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, duke i mundësuar lirimin nga burgu me disa kushte. Në maj 2022, Gucati me zëvendësin e tij në OVL-UÇK u dënuan me katër vjet e gjysmë burg për akuzat për pengim të drejtësisë. Më pas Apeli ua uli dënimet me tre muaj. Që të dy u arrestuan më 5 shtator 2020.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova konstatoi se Gucati kishte reflektuar për veprimet e tij gjatë qëndrimit në paraburgimin e Hagës dhe “sjellja e tij ndryshoi me kalimin e kohës”.

Trendafilova vuri në dukje zotimin e vendosur të Gucatit se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij. Nëse nuk përmbush secilin prej këtyre kushteve, vendimi anulohet.

Specialja po shqyrton edhe mundësinë që të modifikojë dënimin e Nasim Haradinajt e ta lirojë.

Haradinaj ka masa disiplinore në paraburgim e megjithëse ka ndërmarrë disa hapa drejt rehabilitimit, ende ka vend për rehabilitim. Nga administrata e këtij institucioni, kryetarja e Speciales kërkoi që brenda një periudhe të paspecifikuar kohore t’i dërgojë raport për sjelljen e Haradinajt. Nga ky raport do të varet edhe mundësia e lirimit të tij.

Në aktakuzën ndaj Gucatit e Haradinajt, Dhomat e Specializuara theksuan se kishin shpërndarë dokumente të klasifikuara të këtij institucioni, që njihet edhe si Gjykata Speciale. Në dokumente ka patur edhe emra të dëshmitarëve potencialë që mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike e rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Europës të vitit 2011, autor i të cilit është ish-senatori zviceran, Dick Marty.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48675 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE