Nga Komisioni Europian, presidentja Osmani kërkon masa ndëshkuese ndaj Serbisë!

vovalbania October 17, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Nga Komisioni Europian, presidentja Osmani kërkon masa ndëshkuese ndaj Serbisë!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se hetimet e deritanishme  “dëshmojnë se Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit”. Osmani kërkoi që Komisioni Europian të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

Në një konferencë për media u shpreh se po kërkojnë që blloku europian të vendosë masa ndaj Serbisë për shkak të Banjskës, pasi shtetet anëtare të kenë kryer procedurat e tyre për konfirmimin e detajeve të ngjarjes.

Kosova nuk po kërkon sanksione sepse çdo shtet anëtar ka të drejt vetoje në Këshillin e BE-së dhe të paktën një shtet do të përdorte veton për këtë çështje.

Por, Osmani nuk specifikoi shtetin për të cilin aludoi.

Komisioni Europian ka të drejtë dhe kompetenca që të prezantojë masa politike e financiare që nuk kërkojnë miratimin e Këshillit. Në BE thanë se po presin përfundimin e hetimeve të autoriteteve kosovare për ngjarjet në Banjskë dhe më pas mund të ndërmerren masa e hapa të rinj.

Më 19 tetor, Parlamenti Europian pritet të miratojë një rezolutë që kërkon vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë. Një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Serbia ka mohuar përfshirjen në këtë sulm.

Gjatë konferencës, Osmani tha se janë katër elementë që sipas saj, përgjegjësinë për sulmin e çojnë deri te presidenti serb përmes linjës komanduese.

E para ka të bëjë me financimin e këtij grupi që përbëhej prej më shumë se 80 personash të armatosur. E dyta me armët e përdorura, që janë prodhuar në industrinë ushtarake të Serbisë dhe janë dhënë nga shteti serb për terroristët që kanë kryer sulmin.

E treta ka të bëjë me trajnimet të cilat as shteti serb nuk i mohon se i ka bërë për këto grupe terroriste dhe e katërta ka të bëjë me lidhjet politike të vetë shtetit serb me terroristët që e kanë udhëhequr këtë sulm.

Presidentja e Kosovës fajësoi qasjen e BE-së ndaj Serbisë, që sipas saj “inkurajoi” Vuçiçin për një sulm të tillë.

Tashmë janë bërë 12 vjet në dialog dhe është koha për reflektim sepse qasja e këtyre 12 vjetëve, e ka inkurajuar Vuçiçin që ai të përdorë dhunë dhe të kryejë akt agresioni ndaj Kosovës. Andaj nuk mund të sillemi kinse nuk ka ndodhur 24 shtatori. I gjithë procesi i dialogut duhet të rimendohet në suaza të asaj që ka ndodhur më 24 shtator, duke e ditur se është shkelje e nenit 3 të Marrëveshjes drejt normalizimit dhe Aneksit të saj.

Përgjegjësinë për organizimin dhe drejtimin e sulmit e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49970 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE