Ndryshon buxheti 2023, plani i të ardhurave rritet me 7.5 miliardë lekë!

vovalbania October 18, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ndryshon buxheti 2023, plani i të ardhurave rritet me 7.5 miliardë lekë!

Sot në mbledhje qeverie u miratua Akti Normativ për ndryshime të Buxhetit të vitit 2023. Duke folur për mediat, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete bëri të ditur se nisur edhe nga performanca e mirë e të ardhurave, ky Akt Normativ parashikon rritje të planit vjetor të të ardhurave me 7.5 miliardë lekë.

Nëpërmjet këtij Akti Normativ rishpërndahen rreth 46 miliardë lekë, me synim përshpejtimin e projekteve me performancë pozitive e nxitjen e rritjes ekonomike. Kjo bëhet e mundur edhe falë një ecurie pozitive të sektorit energjetik, i cili nuk ka pasur nevojë për mbështetjen buxhetore të parashikuar në fillim të vitit.

Përmes Aktit Normativ mbështetet procesi i rindërtimit me afro 12 miliardë lekë, me synim avancimin e përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi.

Gjithashtu, alokohen rreth 1.8 miliardë lekë për skemën e naftës dhe ato të mbështetjes së fermerëve, për të cilat Ministria e Bujqësisë do të sigurohet për t’i disbursuar deri në fund të vitit. Parashikohet shtesë për fondin e ish-të përndjekurve politikë, me synim përshpejtimin e pagesave për këtë kategori përfituesish.

Po ashtu, Akti Normativ mbështet projektet në infrastrukturë, kryesisht në rrugë, ujësjellësa e kanalizime. Ndërkohë, parametrat makrofiskalë vazhdojnë të synojnë uljen e borxhit publik, duke mbajtur të pandryshuar defiçitin buxhetor.

Ministri u pyet nëse është hequr dorë nga amnistia fiskale si një kriter për ta nxjerrë Shqipërinë nga “lista gri” e pastrimit të parave. Mete tha se po vazhdon puna në këtë drejtim e sipas tij “është detyrim për të realizuar këtë gjë” e kur të arrihet do të jetë “lajm i mirë”. Sa i përket heqjes dorë nga amnistia fiskale, ai shtoi se një gjë e tillë do të diskutohet me ndërkombëtarët dhe deri më tani sa i përket kësaj, nuk ka zhvillime.

Puna për ta nxjerrë Shqipërinë nga “zona gri” po vazhdon, nuk është lajm që po punohet për këtë. Eshtë detyrimi ynë dhe ka pasur një angazhim ndërinstitucional serioz për të arritur këtë e kur të arrihet do të jetë një lajm i mirë për të gjithë.  Amnistia fiskale ka qenë një iniciativë që siç është thënë edhe më parë do të diskutohet me partnerët. Nuk do të merren veprime që mund të bien ndesh me praktika të ngjashme që mund të jenë marrë në vende të tjera dhe unë nuk mund të them asgjë me tepër nga ajo çfarë është thënë më parë.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50743 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE