Çmimet e 34 produkteve të shportës në një vit, rritja më e lartë për qepën dhe pataten, me 40-55%!

vovalbania October 20, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Çmimet e 34 produkteve të shportës në një vit, rritja më e lartë për qepën dhe pataten, me 40-55%!

Të dhëna të detajuara për 34 artikuj të shportës së konsumit të mallrave ushqimore tregojnë se vitin e fundit, rritja më e madhe e çmimeve ka ndodhur për qepën, pataten, djathin, domaten dhe gjalpin nga 24-55%.

Në mënyrë të detajuar, INSTAT-i raportoi çmimet për artikujt e shportës e rezulton se në gusht 2023, çmimi i qepës ishte 55.3 % më i lartë se në gusht 2022.  Çmimi i patates për të njëjtën periudhë u rrit me 40%, djathit me 27%, domates 24%, gjalpit me 24%, specave me 18.7%

Një kilogram qepë kushtoi mesatarisht 108 lekë në gusht 2023 nga 69.8 që ishte në të njëjtin muaj të vitit 2021 ndërsa çmimi i patates arriti në 96.8 lekë nga 69, vitin e kaluar.

Në krahun tjetër, rënien më të madhe vjetore e shënoi çmimi vajit të lulediellit me rreth 34% si pasojë e uljes në tregjet ndërkombëtare. Çmimet shënuan ulje edhe për gazin e naftën përkatësisht me 27 dhe 17% nga gushti 2022 në gusht 2023.

Në disa artikuj, çmimet e larta reflektojnë problemet në prodhimin vendas në disa kultura. Sasitë e vjela në vend të zaravateve dhe perimeve nuk kanë plotësuar kërkesat në treg. Sipërfaqet e mbjella nuk pësuan rritje, teksa gjithnjë e më shumë prodhimi po shkon në eksport. I njëjti shpjegim vlen për produktet blegtorale si djathi e gjalpi, për të cilat ka një ofertë më të ulët nga tregu vendas për shkak të reduktimit të bagëtive. Nga ana tjetër, rritja me gati 30% e numrit të vizitorëve të huaj ka rritur më tej kërkesën për tregun e brendshëm dhe çmimet gjithashtu.

Që pas luftës në Ukrainë në pranverë 2022, çmimet e artikujve ushqimorë, sidomos prodhimeve bujqësore u rritën me shpejtësi në të gjithë botën pasi dy vendet në konflikt ishin furnizues të rëndësishëm global me drithëra e të tjera produkte bujqësore. Rritja u reflektua edhe në Shqipëri.

Që nga prilli 2022, çmimet e ushqimeve nisën të rriten me ritme dyshifrore, me 15% në prill-dhjetor 2023.  INSTAT-i raporton se në periudhën janar-gusht 2023, çmimet e ushqimeve në vendin tonë u rritën me 11%, ndërsa në BE, me 10.8% në korrik.

Thatësirat në disa vende dhe përmbytjet në disa të tjera të Europës, si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike nga fenomeni “El Nino” kanë dëmtuar prodhimin në disa kultura bujqësore që po shiten me çmime me të larta. Në tregun vendas, çmimet e prodhimeve bujqësore kanë shënuar rritje në të gjithë zinxhirin, që nga prodhimi e deri tek shitja me pakicë.

Sipas matjeve të INSTAT-it, në vitin 2022, Indeksi vjetor i Çmimeve të Prodhimeve Bujqësore, tregues që mat çmimet në ferma (pa taksat) shënoi rritje me 11.1%. Kjo ishte rritja më e lartë që kur INSTAT-i nisi të masë çmimet e prodhimit në bujqësi në vitin 2016.  Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve Blegtorale me 22.1% vitin e kaluar, shënoi nivelin më të lartë që kur nisën matjet 7 vite më parë./Monitor

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50361 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE