SHBA-ja sanksionon individë dhe entitete të lidhura me Milorad Dodikun

vovalbania October 20, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
SHBA-ja sanksionon individë dhe entitete të lidhura me Milorad Dodikun

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur  sanksione ndaj individëve dhe entiteteve të lidhura me nacionalistin serb të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik, ka njoftuar Departamenti amerikan i Thesarit.

Gorica dhe Igor Dodik, të shtuar në listë, janë fëmijët e Dodikut.

Dodik, i njohur edhe si lider pro-rus, është sanksionuar nga SHBA-ja më 5 janar të vitit 2022.

SHBA-ja e ka akuzuar atë se drejtëpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë ka shkelur, penguar apo kërcënuar që Marrëveshja e Dejtonit të mos zbatohej, por edhe nën akuza se është përfshirë në aktivitete korruptive.

Edhe në korrik të vitit 2017, Thesari amerikan e ka akuzuar Dodikun se po pengonte zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila u ka dhënë fund luftimeve në Bosnje, më 1995.

Millorad Dodik është sanksionuar edhe nga Britania e Madhe.

Kush është Millorad Dodik?

Millorad Dodik është një politikan serb i Bosnje e Hercegovinës që fuqinë më të madhe politike e fitoi në vitet e 90-ta.

Ai ka shërbyer si president i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) që nga krijimi i saj në vitin 1996 dhe më vonë ka ushtruar pozita të ndryshme në kuadër të Republikës Sërpska, entiteti me shumicë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë.

Dodik ka ushtruar pozitën e kryeministrit të Republika Sërpska nga viti 1998 deri në vitin 2001 si dhe këtë pozitë e ka mbajtur sërish në periudhën 2006-2010. Dodik ishte edhe president i Republika Sërpska nga 2010 deri në vitin 2018.

Në fillimet e tij në politikë, Dodik ishte konsideruar nga Perëndimi si politikan i moderuar dhe reformist, megjithatë me kalimin e viteve ai është kritikuar se ka ndjekur një linjë gjithnjë e më nacionaliste dhe separatiste, duke thirrur të drejtën e serbëve të Bosnjës për vetëvendosje.

Përgjatë viteve, Dodik është kritikuar se ka pasur qasje autoritare, se ka refuzuar institucionet federale boshnjake si dhe është akuzuar për lidhjet e tij të ngushta me Serbinë dhe Rusinë.

Millorad Dodik, i cili është anëtar serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, është një mohues i rregullt i shkallës dhe natyrës së gjenocidit të ndodhur në Srebrenicës në vitin 1995, ku forcat serbe të Bosnjës vranë 8,000 burra dhe djem boshnjakë.

Dodik nxiti tensione pasi e quajti të padrejtë dënimin e Ratko Malladiqit për krime luftë të kryera në Bosnje e Hercegovinë. Ai e cilësoi atë “legjendë”.

Mes tjerash, Dodik po ashtu ka mbrojtur rolin e Radovan Karaxhiqit gjatë luftës si dëshmitar në gjykimin e tij për krimet lufte dhe krime kundër njerëzimit pranë Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51125 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE