Forcat izraelite: 240 pengje në duart e Hamasit!

vovalbania October 31, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Forcat izraelite: 240 pengje në duart e Hamasit!

Edhe gjatë natës, forcat tokësore izraelite sulmuan militantët e Hamasit e infrastrukturën në veri të Gazës, ndërsa sulmet ajrore po vazhdojnë në mbarë territorin e rrethuar. Sipas ushtrisë, rreth 800 mijë banorë janë larguar nga veriu i Gazës që kur nisi lufta, mbi tre javë më parë.

I nxitur nga shpëtimi i parë i një pengu që mbahej nga Hamasi, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, sërish ka hedhur poshtë thirrjet për armëpushim. Ai u zotua të shtypë aftësinë e grupit militant për të qeverisur Gazën e për të kërcënuar Izraelin, pasi Hamasi nisi sulme të përgjakshme ndaj Izraelit më 7 tetor.

Izraeli vlerëson se 240 pengje janë marrë nga militantët palestinezë gjatë sulmeve. Një ushtare 19-vjeçe u lirua gjatë një operacioni të forcave speciale dhe iu bashkua familjes. Tel Avivi thekson se ofensiva tokësore në Gaza do të çojë në lirimin e të tjerë të rrëmbyerve. Hamasi liroi katër pengje e zotohet të lirojë të tjerë në këmbim të mijëra të burgosurve palestinezë, por Izraeli nuk pranon.

Prej javësh, Gaza po përballet me mungesë të energjisë elektrike dhe Izraeli ka ndaluar furnizimet me karburante që janë të nevojshme për gjeneratorët në spitale e shtëpi.

Kreu i UNRWA, Philippe Lazzarini, akuzoi Izraelin për “ndëshkim kolektiv” të palestinezëve dhe se po i detyron të zhvendosen nga veriu për në jug të Gazës, ku sërisht nuk janë të sigurt.

Lufta mund të hapet edhe në fronte të tjera. Izraeli dhe grupi militant Hezbollah në Liban shkëmbyen zjarr në baza ditore përgjatë kufirit mes dy shteteve. Ndërkaq Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara sulmuan objektiva në Siri të lidhura me Iranin, shtet që mbështet Hamasin, Hezbollahun dhe të tjera grupe të armatosura në rajon.

Në Bregun e pushtuar Perëndimor, ku dhuna mes izraelitëve e palestinezëve është rritur, ushtria izraelite njoftoi se ka shkatërruar shtëpinë e Saleh al-Arourit, zyrtar i lartë i Hamasit që ka ikur në emigracion, një dekadë më parë.

Jonathan Conricus, zëdhënës i ushtrisë së Izraelit, tha se operacionet tokësore në Gaza janë përqendruar në veri, përfshirë qytetin e Gazës, që sipas tij është “qendra e gravitetit të Hamasit”.

Ne po vazhdojmë sulmet ajrore në të tjera pjesë të Gazës. Ne po ndjekim komandantët e tyre, po sulmojmë infrastrukturën e çdo shënjestër tjetër të rëndësishme të lidhur me Hamasin.

 

 

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50108 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE