“Ylli i Mirënjohjes Publike” për Alvin Karaqin/Fitoi Europianin e Karatesë!

vovalbania October 31, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
“Ylli i Mirënjohjes Publike” për Alvin Karaqin/Fitoi Europianin e Karatesë!

“Ylli i Mirënjohjes Publike” për Alvin Karaqin, kampion i Karatesë në Lojërat Europiane. Medalja iu akordua sot nga qeveria, në një ceremoni të zhvilluar në Tiranë. Kryeministri Edi Rama vlerësoi sakrificën e Alvinit, njëherazi mjek në Zvicër.

Një kampion me një veçanti të madhe sepse ndërkohë që arrin të ngjitet në majë të kompeticionit të vështirë e sfidues ndërkombëtar në sportin e tij, është edhe një shërbëtor i përditshëm, i palodhur i shëndetit të njerëzve si mjek, në Zvicër.

Në këtë të dytën nuk ka medalje, por jam i bindur që po të kishte, nuk do të ishte çudi që Alvini edhe si mjek të merrte medalje ari. Për këtë arsye, ai përbën një shembull absolutisht frymëzues e të jashtëzakonshëm për këdo.

Kryeministri vuri në dukje se për të realizuar pasionin e tij, Alvin fle vetëm katër orë.

Ne i bëjmë këto ceremoni për t’i shprehur mirënjohjen kampionëve, por edhe për t’i dhënë mundësi të gjithë të tjerëve, që të marrin sado pak nga energjia pozitive, nga shembulli i tyre.

Alvini më tregoi se fle diku te katër orë dhe se i mbyll sytë duke menduar si t’i hap sa më shpejt për të vazhduar ditën tjetër, duke i bërë të dyja detyrat e veta, atë karshi profesionit të mjekut dhe atë karshi pasionit të tij të sportistit kampion.

Për sportistët, shefi i qeverisë garantoi mbështetje të plotë nga institucionet shtetërore:

Sot mund ta themi me plot gojën që Shqipëria e vogël, që s’është ndër vendet e pasura, i ofron kampionëve dhe atyre që janë të gatshëm të sakrifikojnë të bëhen kampionë, një mbështetje që pak vende e kanë e sidomos në këto sporte, që nuk hyjnë në industritë e mëdha të sportit, siç është futbolli. Në këto sporte që janë të jashtëzakonshme, por që ende zhvillohen në një nivel sponsorizimi e vëmendjeje që është shumë modeste në krahasim me futbollin, që është industri shumëmiliardëshe.

Rama shtoi se nëse dikur shqiptarët merrnin nënshtetësi tjetër për të arritur te trofeu, sot ndodh e kundërta:

Besoj se tashmë kjo është e ilustruar më së miri me numrin e kampionëve që ne kemi, si asnjëherë më parë dhe me numrin e të rinjve premtues që janë gjithnjë e më të motivuar e kanë më shumë besim, pasi nuk janë më vetëm.

Referuar kreut të Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, kryeministri  tha se “në fillim të viteve ’90, humbëm 37 medalje olimpike, në sensin që sportistë shqiptarë detyroheshin të ndërronin flamur, duke u detyruar që për t’i shkuar deri në fund limiteve të forcës e të pasionit të tyre, të zgjidhin një atdhe të dytë”.

Tashmë kemi sportistë që vijnë nga të tjera vende e që zgjedhin Shqipërinë si atdheun e tyre të dytë, sepse këtu përfitojnë nga këto kushte të reja dhe nga ky kuadër i ri i mbështetjes.

Ndërkaq, Alvin Karaqi, tha se ishte emocionuese dita kur iu besua flamuri shqiptar, për të qenë drejtuesi i delegacionit:

Medalja ime ishte pikërisht ai moment, kur u bëra bajraktari i flamurit tonë kombëtar. Falënderoj familjen, prindërit, të gjithë ata që më kanë mbështetur, si dhe trajnerin. Në kirurgji dhe sport jam pragmatik e nuk flas shumë. Faleminderit të gjithëve dhe ndjesë për emocionet! Uroj që ekipi i Karatesë e të gjithë sportistët, ta përjetojnë këtë emocion që po përjetoj unë sot.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49463 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE