OKB: Irani po kryen ekzekutime në një shkallë alarmuese!

vovalbania November 02, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
OKB: Irani po kryen ekzekutime në një shkallë alarmuese!

Irani po kryen ekzekutime “në një shkallë alarmuese” dhe vetëm në 7 muajt e parë të vitit ka vrarë të paktën 419 persona. Kështu thuhet në raportin e ri të sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Sipas këtij dokumenti, në Iran ka patur rritje të dënimeve kapitale me 30%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shkalla e ekzekutimeve është rritur shumë, sidomos pas nisjes së protestave në Iran, të nxitura nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini në Teheran, vitin e kaluar, në kohën kur ishte në paraburgim për shkak të pretendimeve se shkeli rregullat e veshjes së hixhabit. Autoritetet kanë shtypur protestat, duke lënë qindra të vrarë e mijëra të plagosur.

Guterres thekson se 7 burra u ekzekutuan lidhur me pjesëmarrjen në protestat që u nxitën nga vdekja e Aminit.

Në të shtatë rastet, informacionet e marra tregonin se procedurat gjyqësore nuk përmbushnin kërkesat për një proces të rregullt dhe gjykim të drejtë sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Ka dëshmi se pranimi i fajit është bërë përmes torturës dhe se dënimi me vdekje është zbatuar pasi në procedurat gjyqësore janë shkelur parimet e një gjykimi të drejtë.

Guterres përmendi informacione të pranuara nga agjencia e OKB-së për të drejtat e njeriut, në periudhën mes 17 shtatorit 2022 e 8 shkurtit 2023, periudhë kur 20 mijë persona u arrestuan për pjesëmarrje në protesta.

Është veçanërisht shqetësuese se shumica e të arrestuarve mund të kenë qenë fëmijë, duke marrë parasysh raportet që mosha mesatare e të arrestuarve besohet të jetë 15 vjeç, sipas zëvendëskomandantit të Gardës Revolucionare Islamike.

Shefi i OKB-së shprehu shqetësim “për mungesën e transparencës dhe hetimeve të pavarura për shkeljet e të drejtave të njeriut, sidomos në kontekstin e protestave të fundit mbarëkombëtare”.

239 persona u ndëshkuan me dënimin kapital për krime të lidhura me drogën.

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ka deklaruar se regjimi në Teheran ekzekuton më shumë njerëz se të gjitha shtetet në botë, përjashtuar Kinën. Burgjet e këtij shteti i ka përshkruar si “fushë vrasjesh”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE