Izraeli nuk ndal bombardimet, Gaza e ndarë në dy pjesë!

vovalbania November 06, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Izraeli nuk ndal bombardimet, Gaza e ndarë në dy pjesë!

Trupat izraelite e kanë ndarë Rripin e Gazës në dy pjesë, ndërsa gjatë gjithë natës vijuan pareshtur bombardimet. Këto zhvillime i konfirmoi zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), Daniel Hagari. Ai tha se trupat izraelite arritën në vijën bregdetare duke e ndarë enklavën në “Gazën veriore dhe në Gazën jugore”.

Qyteti i Gazës, më i madhi në këtë territor, tani është plotësisht i rrethuar. Ne do të vazhdojmë të lejojmë një korridor, në mënyrë që banorët e Gazës veriore dhe Qytetit të Gazës të zhvendosen drejt jugut. Ky është korridor me një drejtim drejt jugut.

Ndërkohë, ka raportime se shërbimet telefonike dhe të internetit janë ndërprerë përsëri në Gaza. Kryqi i Kuq Palestinez njoftoi se “është hera e tretë” që ndërpriten këto shërbime në Gaza që prej fillimit të luftës dhe se për pasojë e ka humbur kontaktin me ekipet e veta.

Ndërkaq, administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i ka rritur përpjekjet diplomatike në Lindjen e Mesme për sigurimin e një pauze humanitare në luftën mes Izraelit dhe Hamasit e që vijon prej rreth një muaji.

Drejtori i CIA-s, William Burns, ish-ambasador amerikan në Jordani, aktualisht ndodhet në Izrael për të biseduar me zyrtarë vendas. Burns ka bërë thirrje për shkëmbime më të ndjeshme në fushën e inteligjencës dhe përpjekje më të mëdha për shmangien e viktimave civile.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken do të ketë bisedime në Turqi, ndalesa e tij më e fundit gjatë një turi rajonal.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se sot, zëvendëspresidentja Kamala Harris do të bisedojë për konfliktin me liderë të huaj.

Lufta mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, nisi më 7 tetor, pasi Hamasi kreu sulme në qytete të Izraelit jugor, duke vrarë 1 mijë e 400 njerëz, kryesisht civilë, si dhe rrëmbeu më shumë se 240 njerëz të tjerë.

Nga ajo kohë, Izraeli është duke sulmuar Rripin e Gazës nga ajri, deti dhe toka, në përpjekje për ta zhdukur Hamasin. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, që udhëhiqet nga Hamasi, mbi 10 mijë palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49463 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE