Gjykata Kushtetuese pezullon ligjin për kompensimin e pronave!

vovalbania November 09, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Gjykata Kushtetuese pezullon ligjin për kompensimin e pronave!

Gjykata Kushtetuese ka pranuar padinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë duke pezulluar ndryshimet në ligjin për kompensimin e pronave.

Në padi kundërshtohet metodologjia e përllogaritjes së kompensimit financiar për pronat ndaj të cilave ka ndryshuar zëri kadastral.

KMSH kërkon në padi shfuqizimin e disa neneve të ligjit të ndryshuar në tetor të vitit të kaluar, si dhe të një serie vendimesh të këshillit të ministrave, që janë nxjerrë para dhe pas këtyre ndryshimeve në zbatim të këtij ligji.

Një prej neneve që kërkohet të shfuqizohet është ai që përcakton metodologjinë e përllogaritjes së kompensimit financiar për pronat ndaj të cilave ka ndryshuar zëri kadastral. Ligji parashikon që për pronat për të cilat kompensimi financiar është dhënë me vendim të formës së prerë, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të vitit të kaluar nuk do të jenë subjekt rishikimi.

Kundërshtohet gjithashtu edhe neni që përcakton se vendimet përfundimtare, që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit, vlerësohen financiarisht sipas zërit kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit. E thënë më thjesht, nëse një pronë e caktuar në momentin e shpronësimit ka qenë arë dhe aktualisht është truall, do të kompensohet financiarisht si arë.

Ndryshimet e vitit të kaluar në ligj adresuan një vendim e Gjykatës së Strasburgut në çështjen “Beshiri dhe të tjerët kundër Shqipërisë”. Vendimi shpalli të papranueshme skemën e re të qeverisë me ligjin e 2015-ës për trajtimin dhe kompensimin e pronës.

Strasburgu kundërshtoi po metodologjinë e përllogaritjes së kompensimit financiar, duke e detyruar Qeverinë që në çdo rast, ajo të ishte mbi 10 për qind e vlerës së pronës së kompensuar.

NJOFTIM:

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 08.11.2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen me nr. 18 (K) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimi i pikës 2 të nenit 1 dhe pikave 1, 2 dhe 5 të nenit 2 të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Shfuqizimi i pikave 2, 3/1 dhe 3/2, shkronja “c”, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Shfuqizimi i pikës 8 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, në pjesën që shton pikën 16/7 në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Pezullimi i zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, bazuar në nenet 32 dhe 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenet 11, pika 3, shkronja “f”, 26 dhe 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese,

VENDOSI:

1. Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike.

2. Pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48810 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE