Biden: Spitali më i madh në Gaza duhet të mbrohet!

vovalbania November 14, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Biden: Spitali më i madh në Gaza duhet të mbrohet!

Presidenti amerikan, Joe Biden kërkon që spitali më i madh në Gazë, Shifa “të mbrohet”. Luftimet midis forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit, organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë bërë që spitali të rrethohet, duke detyruar mijëra persona që të largohen. Duke folur nga Zyra Ovale, shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi:

Shpresa dhe pritja ime është që të ketë veprime më pak ndërhyrëse nga forcat izraelite.

Prej tre ditësh tashmë, spitali Shifa ka mbetur pa energji elektrike dhe ujë, në kohën kur luftimet me armë zjarri dhe bombardimet jashtë ndërtesës së spitalit e kanë bërë edhe më të vështirë situatën. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan u shpreh:

Ne nuk duam të shohim luftime në spitale. Ne duam që pacientët të jenë të mbrojtur. Ne duam që spitalet të jenë të mbrojtura. Ne kemi biseduar me qeverinë izraelite për këtë çështje dhe ata kanë thënë se ndajnë mendimin se nuk duan të shohin luftime në spitale.

Sullivan vuri në dukje se nuk ka përgjigje të lehta lidhur me atë se si Izraeli shtyn përpara operacionet ushtarake rreth spitaleve, por shtoi se këto pyetje janë për ushtrinë izraelite e jo për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mijëra persona qëndronin të strehuar në spitalin Shifa, por një ditë më parë, zyrtarët shëndetësorë në Gaza njoftuan se shumë palestinezë janë zhvendosur nga spitali, si pasojë e luftimeve. Izraeli vuri në dukje se ka ofruar korridor të sigurt për ata që duan të largohen. Izraelitët hedhin akuza se në bodrumet e spitalit Shifa, Hamasi ka një qendër komanduese.

Grupi radikal islamik Hamas që nisi sulmet ndaj Izraelit më 7 tetor duke nxitur luftën aktuale, si edhe stafi shëndetësor në Shifa, mohojnë pretendimet e ushtrisë së Izraelit. Numri i palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës është rritur në mbi 11 mijë, siç njofton ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në enklavën e rrethuar nga Izraeli. Mes viktimave prej 7 tetorit janë edhe 4 mijë e 600 fëmijë palestinezë.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49306 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE