Dënohet deklarata e ministrit izraelit për sulm bërthamor në Gaza!

vovalbania November 14, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Dënohet deklarata e ministrit izraelit për sulm bërthamor në Gaza!

Kina, Irani dhe disa shtete arabe kanë dënuar deklaratën e një ministri izraelit, i cili tha se hedhja e një bombe bërthamore në Rripin e Gazës ishte një opsion në luftën Izrael-Hamas, duke e quajtur këtë qëndrim si kërcënim për botën.

Në konferencën në Kombet e Bashkuara, qëllimi i së cilës ishte krijimi i një zone pa armë bërthamore në Lindjen e Mesme, shumë ambasadorë dënuan dhe kritikuan deklaratat e bëra nga ministri i Trashëgimisë së Izraelit, Amihai Eliyahu, i cili më vonë i quajti deklaratat e tij si “metaforike”. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu hodhi poshtë komentet e tij dhe e pezulloi nga pjesëmarrja në takimet e qeverisë.

Izraeli as nuk konfirmoi e as mohoi se ka aftësi bërthamore. Gjerësisht besohet se ky shtet ka armë bërthamore dhe një ish-punonjës i një reaktori bërthamor ka kaluar 18 vjet në burg, pasi publikoi detaje dhe fotografi të arsenalit të dyshuar bërthamor të Izraelit në një gazetë britanike më 1986.

Zëvendësambasadori i Kinës në OKB, Geng Shuang, tha se Pekini ishte i “tronditur” dhe i cilësoi deklaratat si “ektremisht të papërgjegjshme” që duhen menjëherë të dënohen. Ai u bëri thirrje zyrtarëve izraelitë të reagojnë ndaj deklaratës dhe të bashkohen në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.

Geng shtoi se Kina është e gatshme të bashkohet me shtete të tjera për të punuar në krijimin e një zone pa armë bërthamore në Lindjen e Mesme.

Shefja për çarmatim në OKB, Izumi Nakamitsu, e cila bëri hapjen e konferencës, nuk e përmendi Izraelin. Por, tha se “çdo kërcënim për të përdorur armë bërthamore është i papranueshëm”. Po ashtu përsëriti thirrjen që Lindja e Mesme të jetë një zonë pa armë bërthamore dhe armë të tjera të shkatërrimit në masë, duke theksuar se duhet të arrihet paqe mes Izraelit dhe palestinezëve përmes zgjidhjes me dy shtete.

Ambasadori i Omanit në OKB, Mohamed Al-Hassan, i cili foli në emër të gjashtë shteteve të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit – ku përfshihet edhe Arabia Saudite – tha se kërcënimi për të përdorur armë bërthamore në Gaza, “rikonfirmon brutalitetin e pushtimit izraelit kundër popullit palestinez” dhe “shpërfilljes ndaj jetëve të pafajshme”.

I ngarkuari me punë i Libanit, Hadi Hachem, po ashtu dënoi komentet e ministrit të Trashëgimisë së Izraelit, duke thënë se “ky është vetëpranim për armë bërthamore dhe kërcënimi i tyre për t’i përdorur paraqet kërcënim serioz ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe të rajonit”.

Ambasadori i Iranit, Amir Iravani deklaroi se kërcënimet bërthamore drejtuar palestinezëve nga zyrtarë të lartë izraelitë paraqesin “krenarinë” e Izraelit për posedimin e armëve të tilla.

Përfaqësuesit izraelitë nuk folën në konferencë, por Netanyahu ka thënë se kërcënimi kryesor ndaj shtetit të tij është që Irani të ketë armë bërthamore, duke shtuar se është i gatshëm që të parandalojë që kjo të ndodhë.

Përpjekjet që Lindja e Mesme të jetë një zonë pa armë bërthamore datojnë që nga vitet ’60 dhe përfshijnë thirrjet e bëra përmes Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore të vitit 1995 dhe një rezolute të vitit 1998 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që u ka kërkuar shteteve që të kontribuojnë në krijimin e kësaj zone.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49212 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE