Keqtrajtoi një 5-vjeçar me autizëm në Elbasan, edukatorja nën hetim!

vovalbania November 15, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Keqtrajtoi një 5-vjeçar me autizëm në Elbasan, edukatorja nën hetim!

Dyshohet se keqtrajtoi një fëmijë autik 5-vjeç, nis procedimi në gjendje të lirë për edukatoren 57-vjeçe të një kopshti publik në Elbasan. Materialet u referuan në Prokurori.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen O.B., 57 vjeçe, banuese në Elbasan, me profesion edukatore në një kopsht publik, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një 5-vjeçar që vuan nga Autizmi. Shërbimet e Policisë po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore për të zbardhur rrethanat e rastit.

Ky rast shënohet pas atij në Tiranë, ku edukatorja Majlinda Dehima u arrestua lidhur me dhunën ndaj një vajze 3-vjeçe në një kopsht privat. Fëmija përfundoi me këmbë të thyer.

Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në të gjithë vendin për subjektet private parashkollore (çerdhe dhe kopshte). Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se ka ushtruar kontrolle në 201 subjekte duke kryer veprimet procedurale sipas ligjit për 81 subjekte ku ka rezultuar se veprimtaria kryhej në kundërshtim me ligjin.

Si rezultat i kontrolleve dhe i verifikimeve të kryera nga shërbimet e Policisë, janë evidentuar 63 çerdhe dhe kopshte në të cilat kryhej veprimtari pa licencën përkatëse ose me dokumentacion të parregullt, nga këto: 40 në Tiranë, 11 në Durrës, 4 në Lezhë, 4 në Shkodër, 2 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër. Për pronarët/administratorët e këtyre 63 subjekteve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të drejtorive vendore të Policisë kanë referuar materialet procedurale në prokuroritë respektive, për veprat penale “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”, “Punësimi i paligjshëm”, “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Për 18 subjektet e tjera që kryenin veprimtarinë në kundërshtim me ligjin,policia sqaron se janë kryer verifikimet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe me organet tatimore. Këto subjekte do të ndëshkohen me masa administrative, sipas shkeljeve të kryera.

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin do të ushtrojnë kontrolle në të gjitha çerdhet dhe kopshtet private, për evidentimin e të gjitha rasteve kur veprimtaria në këto subjekte kryhet në kundërshtim me ligjin, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin sipas ligjit, të pronarëve/administratorëve të këtyre subjekteve, të cilët duke mos plotësuar standardet për kryerjen e kësaj veprimtarie mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e fëmijëve.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët, që nëse kanë informacion për çerdhe apo kopshte që kryejnë veprimtarinë në kundërshtim me ligjin, të denoncojnë në strukturat e Policisë ose në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë dhe profesional, në bazë të ligjit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48834 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE