Përfundon armëpushimi, Izraeli rinis sulmet në Gaza!

vovalbania December 01, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Përfundon armëpushimi, Izraeli rinis sulmet në Gaza!

Pak pasi përfundoi armëpushimi njëjavor, sot avionët luftarakë izraelitë goditën shënjestra në Rripin e Gazës të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Sulmet ajrore u përqendruan në jugun e Gazës, duke përfshirë komunitetin Abasan në lindje të qytetit Han Junis. Të tjera u shënuan në veriperëndimin e Qytetit të Gazës.

Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në Rripin e Gazës dhe qielli i këtij territori palestinez u mbulua nga tymi i zi. Në Izrael, sirenat e alarmit ranë në zonat afër Gazës e sugjerojnë se edhe Hamasi ka rinisur sulmet.

Ushtria izraelite njoftoi për rifillimin e bombardimeve, vetëm 30 minuta pasi përfundoi armëpushimi në 07:00 të mëngjesit, sipas orës lokale. Po sot, Izraeli akuzoi Hamasin se shkeli marrëveshjen e armëpushimit, duke hedhur raketa nga Gaza në drejtim të Izraelit.

Ndërprerja e luftimeve filloi më 24 nëntor e fillimisht armëpushimi duhej të zgjaste katër ditë. Por, u vazhdua me tre të tjera, me ndërmjetësimin e Katarit e të Egjiptit. Gjatë armëpushimit njëjavor, Hamasi e të tjerë militantë në Gaza liruan mbi 100 pengje, shumica izraelitë. Kjo në këmbim të lirimit të 240 palestinezëve që gjenden në burgjet e Izraelit.

Thuajse të gjithë të liruarit ishin gra e fëmijë, por kur mbetën vetëm pak pengje në Gaza, një gjë e tillë ndërlikoi arritjen e një marrëveshjeje për zgjatjen e armëpushimit. Hamasi që kontrollon Gazën prej 16 vitesh ka pritur të përfitojë më shumë. 140 persona vazhdojnë të mbahen peng në Gaza, ndërsa mbi 100 u liruan në bazë të marrëveshjes së armëpushimit.

Katari dhe Egjipti që ishin ndërmjetësuesit kryesorë, synuan që të zgjasnin armëpushimin me dy ditë të tjera. Izraeli po përballet me presion në rritje nga aleatja e tij kryesore, Amerika, për të bërë më shumë në mbrojtjen e civilëve palestinezë pas rinisjes së sulmeve ndaj Hamasit.

Një ditë më parë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu e të tjerë zyrtarë të lartë gjatë vizitës së tij të tretë në rajon, që nga nisja e luftës, dy muaj më parë.

Blinken deklaroi se nëse Izraeli rinis luftën dhe kryen sulme në jug të Gazës në ndjekje të Hamasit, këtë duhet ta bëjë “në përputhje me ligjin humanitar ndërkombëtar” dhe “të ketë një plan të qartë” për të mbrojtur civilët.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE