Këshilli i Sigurimit miraton rezolutën me thirrje për pauza humanitare në Gaza!

vovalbania November 16, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Këshilli i Sigurimit miraton rezolutën me thirrje për pauza humanitare në Gaza!

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën e parë që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas. Dokumenti bën thirrje për “pauza urgjente dhe të zgjatura humanitare” në Gaza, për të trajtuar krizën e përshkallëzuar të civilëve palestinezë gjatë sulmeve ajrore e tokësore të Izraelit. Në Këshillin prej 15 anëtarësh, votimi ishte 12-0, ndërsa Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia abstenuan.

SHBA-të dhe Britania e Madhe abstenuan për shkak të dështimit të rezolutës për të dënuar sulmin e përgjakshëm të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Rusia abstenoi për shkak të dështimit të rezolutës për të kërkuar një armëpushim humanitar, të cilin Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë.

Drafti përfundimtar e zbuti tonin nga “kërkesa” në “thirrje” për pauza humanitare dhe për “lirimin e menjëhershëm e pa kushte të të gjithë pengjeve të mbajtur nga Hamasi dhe grupet e tjera”.

Rezoluta e sjellë nga Malta, arriti të kapërcejë dallimet serioze që e kishin penguar Këshillin të miratonte katër të mëparshmet.

Në sulmin e 7 tetorit, militantët e Hamasit vranë rreth 1 mijë e 400 njerëz dhe morën peng rreth 240 të tjerë. Izraeli u përgjigj me sulme ajrore e një ofensivë tokësore ndaj Gazës së sunduar nga Hamasi. Ministria e shëndetësisë e Gazës thotë se janë vrarë më shumë se 11 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Shifrat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, u përpoq pa sukses ta ndryshonte rezolutën pak para votimit, duke përdorur pjesë nga një rezolutë e miratuar më 27 tetor nga Asambleja e Përgjithshme prej 193 anëtarësh. Aty bëhej thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm humanitar që çon në një ndërprerje të armiqësive”.

Ambasadorja e Emirateve të Bashkuara Arabe, Lana Nusseibeh, përfaqësuesja arabe në këshill, tha se anëtarët e saj e mbështetën rezolutën.

Do të ndryshojë perceptimin e botës se Këshilli i Sigurimit është indiferent. Ky është një hap i parë, i rëndësishëm dhe i vonuar. Duhet të pasohet nga puna për një armëpushim humanitar të qëndrueshëm.

Ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan, bëri një deklaratë duke theksuar se rezoluta “është e shkëputur nga realiteti dhe është e pakuptimtë”. Ai kritikoi “dështimin” e Këshillit për të dënuar Hamasin, duke ngritur pretendimet se militantët qëllimisht synonin përkeqësimin e situatës humanitare, në mënyrë që Kombet e Bashkuara të ushtronin presion ndaj Izraelit që të tërhiqej nga Gaza.

Kjo nuk do të ndodhë. Izraeli do të vazhdojë të veprojë derisa Hamasi të shkatërrohet dhe pengjet të kthehen.

Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së janë ligjërisht të detyrueshme, ndryshe nga rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme, por në praktikë shumë palë zgjedhin t’i shpërfillin kërkesat e Këshillit.

Të gjitha palët të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e civilëve, kryesisht të fëmijëve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51125 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE