Shefi i NATO-s, Stoltenberg viziton rajonin mes paralajmërimeve se Rusia synon të nxisë konflikt!

vovalbania November 20, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Shefi i NATO-s, Stoltenberg viziton rajonin mes paralajmërimeve se Rusia synon të nxisë konflikt!

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg po qëndron në Kosovë, në kuadër të një turi në disa shtete të rajonit, ku do të zhvillojë takime me drejtues të lartë. Në Kosovë do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, si edhe me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash. Vizita vjen në kohën e tensioneve, si edhe paralajmërimeve për konflikte të mundshme.

Tensionet me Serbinë janë të larta, pas sulmit të armatosur në veri të Kosovës, nga një grup i armatosur serbësh. Po ashtu, komuniteti ndërkombëtar ka shpeshtuar thirrjet që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe e Serbia të njohë de facto pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq, pesë ditë para vizitës së Stoltenbergut në Kosovë, Ukraina paralajmëroi se “Rusia po synon të nxisë një konflikt në Ballkanin Perëndimor”.  Bashkimi Europian është dakord me presidentin Volodymyr Zelensky, ndërsa nga Departamenti amerikan i Shtetit, thanë se “ndikimi i keq rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pengon rrugën e shteteve drejt integrimeve euroatlantike”. DASH u shpreh se “pikërisht ky ndikim tregon urgjencën e punës që po bën Uashingtoni për të luftuar ndikimin rus”.

Për synimin e Rusisë që të nxisë konflikte në rajon, foli edhe Albin Kurti. Ai tha se Moska “dëshiron të ndezë një vatër krize në oborrin e Bashkimit Europian” me qëllim që “ta shpërqendrojë NATO-n”.

Kosova veçon dy qëllime strategjike sa u përket integrimeve euroatlantike: anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe në NATO. Por, për aspiratën e fundit, fillimisht ka kërkuar të pranohet në Programin e Partneritetit të Paqes. Shpesh thuhet se integrimet euroatlantike të Kosovës duhet të kalojnë përmes dialogut për normalizim e që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Qëndrimi i NATO-s për Kosovën

NATO përkrah dialogun Kosovë-Serbi dhe pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbetën të vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues serb, Stoltenberg kërkoi që palët të përmbahen nga nxitja e tensioneve e t’i kthehen menjëherë dialogut. Për shkak të situatës së tensionuar pas sulmit në Banjskë, NATO mori vendim që të rrisë praninë ushtarake, në kuadër të misionit të KFOR-it.

Kryeministri Kurti mirëpriti shtimin e pranisë së pjesëtarëve të KFOR-it, por theksoi se nuk ka nevojë për një angazhim më aktiv të kësaj force në territorin e Kosovës.

Ata janë të nevojshëm për siguri dhe mbrojtje e kështu do të mbetet. Ne nuk kemi nevojë ta bëjmë KFOR-in reagues të parë.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta që nga fundi i majit për shkak të kundërshtimit të kryetarëve të rinj shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e prillit, votime që u bojkotuan nga serbët.

Më 29 maj, dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u lënduan në përplasjet me protestuesit në Zveçan. Pas dhunës, Stoltenberg e cilësoi atë “të papranueshme”.

Vizita e Stoltenbergut në Kosovë, si edhe më pas në Serbi, vjen në kohën kur të dy shteteve u është dorëzuar një draft-statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Komuniteti ndërkombëtar shprehet se ai është model modern europian për Asociacionin. Kurti tha se është i gatshëm ta pranojë e ta nënshkruajë këtë draft-statut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51091 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE