Kuvendi në kaos, reagon Delegacioni i BE-së: Një Parlament funksional, shtyllë qendrore e anëtarësimit!

vovalbania November 22, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kuvendi në kaos, reagon Delegacioni i BE-së: Një Parlament funksional, shtyllë qendrore e anëtarësimit!

Delegacioni i Bashkimit Europian reagoi pas zhvillimeve të fundit në Parlament, duke rikujtuar se “një Parlament funksional që ushtron një rol efektiv mbikqyrës dhe legjislativ është një shtyllë qendrore e procesit të anëtarësimit në BE”.

Dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në parlament është shumë i rëndësishëm dhe në interes të qytetarëve shqiptarë.

Javët e fundit, deputetë të opozitës nuk kanë lejuar funksionimin normal të seancave plenare dhe komisioneve parlamentare, duke ndezur edhe tymuese e kanë bllokuar foltoren. Lidhur me këto zhvillime, dje reagoi edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, duke u shprehur “e shqetësuar për zhvillimet e fundit në parlamentin e Shqipërisë”.

Në përgjigje të interesit të Zërit të Amerikës, për një koment mbi këto zhvillime, të cilat prej disa javësh kanë bërë të pamundur aktivitetin normal të organit ligjvënës të vendit, ambasada amerikane deklaroi:

Një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t’u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar. Mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit, nuk është në interes të Shqipërisë.

Edhe ambasada britanike ndau të njëjtin shqetësim. Në një deklaratë të shpërndarë dje pasdite, theksohej:

Një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin e shërbimet në mënyrë efektive.

Deklarata i bën “thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve”.

Deputetë të opozitës kanë zgjedhur bllokimin e seancave të parlamentit, por dhe pengimin e punës së komisioneve parlamentare, si shenjë proteste ndaj “shkeljes së të drejtave kushtetuese” nga ana e shumicës, e cila ka refuzuar ngritjen e disa komisioneve hetimore të kërkuara nga deputetët e djathtë. Këta të fundit akuzojnë socialistët se po kërkojnë të diktojnë “emërimet e përfaqësuesve të opozitës”, referuar rastit të përfaqësuesit në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Lidhur me komisionet hetimore, shumica thotë se po respekton interpretimet e Gjykatës Kushtetuese dhe se është e gatshme të ulet me opozitën, për të diskutuar mbi objektin e tyre “që ai të jetë në respekt të Kushtetutës”.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49453 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE