Rusia kreu sulmin më të madh me dron ndaj Kievit! OKB thirrje për më shumë ndihma për Ukrainën!

vovalbania November 27, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Rusia kreu sulmin më të madh me dron ndaj Kievit! OKB thirrje për më shumë ndihma për Ukrainën!

Rusia kreu këtë fundjavë sulmin më të madh me dron në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

Kievi thotë se njëri nga dronët dëmtoi një ndërtesë dhe plagosi disa njerëz ndërsa të gjithë dronët e tjerë u shkatërruan nga ushtria ukrainase. Një zyrtar i lartë i OKB-së bëri thirrje për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën.

Sirenat u ndezën në kryeqytetin ukrainas për të paralajmëruar banorët për sulmin rus me dron. Kreu i administratës së kryeqytetit, Serhii Popko, e quajti atë “sulmin më masiv ajror me dron në Kiev”. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se rrëzuan 74 nga 75 dronët e prodhuar nga Irani.

Sulmi, që filloi të shtunën, zgjati më shumë se gjashtë orë dhe la pa energji elektrike mbi 17 mijë njerëz, tha Ministria ukrainase e Energjisë.

Sulmi rus me dron përkoi me 90-vjetorin e fushatës së urisë, të njohur si “Gjenocidi Holodomor”.

Holodomor, që do të thotë vdekje nga uria, ishte një fushatë e viteve 1932-1933, e orkestruar nga udhëheqësi i atëhershëm sovjetik Joseph Stalin, që kishte për qëllim të merrte kontrollin e prodhimit të drithit në Ukrainë. Të paktën 3 deri në 7 milionë ukrainas vdiqën nga uria. Sipas Universitetit të Minesotës, këto shifra mund të jenë edhe më të larta.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni regjistroi një video mesazh për presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Ditën e Përkujtimit të Holodomorit.

Ajo tha se qeveria e saj përshëndet vendosmërinë e Kievit për të vazhduar programin ushqimor humanitar “Gruri nga Ukraina”, duke njoftuar një kontribut të mëtejshëm prej 2.2 milionë dollarësh për këtë iniciativë. Në kuadër të këtij programi, Ukraina bashkëpunon me vende dhe donatorë të sektorit privat për të furnizuar me drithëra vendet në Afrikë dhe Azi, që përballen me kequshqyerje dhe uri.

Në një takim të fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Përfaqësuesi i Përhershëm i Ukrainës në OKB akuzoi Moskën se po përdor përsëri taktika të ngjashme si ato në fillim të viteve 1930.

“Uria si një nga metodat ruse të luftës është përdorur në forma të ndryshme, që nga dita e parë e sulmit në shkallë të gjerë. Kjo përfshin bllokimin e eksporteve ukrainase, bombardimin e porteve dhe qendrave të magazinimit të drithërave në Ukrainë, vendosjen e minave në tokat pjellore të Ukrainës dhe kthimin e tyre në fusha beteje”, tha ai.

Pas valës së sulmeve të Rusisë me dron, Presidenti ukrainas Zelenski dhe udhëheqësit evropianë u takuan në Kiev në samitin ndërkombëtar mbi sigurinë ushqimore.

Ai tha se partnerët e huaj do ta furnizonin Ukrainën me anije për të shoqëruar dhe siguruar anijet e transportit të grurit nga portet e Ukrainës.

Presidenti Zelenski shtoi se vendi i tij shpreson ta zgjidhë problemin e mungesave të armëve të mbrojtjes ajrore përmes sigurimit të furnizimeve të reja me armë nga partnerët dhe rritjes së kapacitetit të prodhimit të brendshëm në Ukrainë përpara se një tjetër sirenë për sulme ajrore të ndërpriste konferencën e përbashkët për shtypin.

Të paktën pesë civilë u plagosën në sulmin e Rusisë me dron në Kiev dhe disa ndërtesa u dëmtuan, duke përfshirë një kopsht fëmijësh. Në mesin e të plagosurve ishte një fëmijë 11-vjeçar, sipas kryebashkiakut Vitali Klitschko.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49077 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE