Sëmundjet e frymëmarrjes në Kinë, OBSH: Në nivelet më të ulëta se para pandemisë!

vovalbania November 27, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sëmundjet e frymëmarrjes në Kinë, OBSH: Në nivelet më të ulëta se para pandemisë!

Rritja e rasteve me sëmundje të frymëmarrjes në Kinë, aktualisht nuk po paraqitet më e lartë se ç’ishte para periudhës së pandemisë COVID-19. Një gjë e tillë theksohet nga një zyrtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke përsëritur se nuk janë gjetur patogjenë të rinj ose të pazakonshëm në rastet e fundit në vendin aziatik.

Maria Van Kerkhove, e cila ushtron detyrën e shefes së Departamentit për Parandalimin e Epidemisë dhe të Pandemisë në OBSH, vuri në dukje se “shtimi i rasteve ka gjasa që të jetë nxitur nga rritja e numrit të fëmijëve që bien në kontakt me patogjenë, pasi në dy vjet kufizime të forta të vendosura në lidhje me pandeminë, ata janë mbajtur larg nga patogjenët. Maria Van Kerkhove deklaroi:

Ne kemi kërkuar krahasimet para kohës së pandemisë koronavirus. Duhet thënë se valët që ata po përjetojnë tani, kulmi i tyre, nuk është aq i lartë krahasuar me çka u shënua në dy vitet 2018-2019. Ky nuk është tregues i një patogjeni të ri. Eshtë diçka e pritshme e kjo është ajo me të cilën janë përballur shumica e shteteve një apo dy vjet më parë.

Një ditë më parë, zëdhënësi i Komisionit shtetëror të Shëndetësisë në Kinë, Mi Feng, bëri të ditur se rritja e rasteve të sëmundjeve akute të frymëmarrjes është e lidhur me qarkullimin e disa llojeve të patogjenëve, kryesisht të gripit sezonal.

Rritja e rasteve të sëmundjeve të frymëmarrjes u bë çështje globale javën e kaluar kur OBSH-ja i kërkoi Kinës më shumë informacione, duke cituar një rast mbi grupet e pneumonisë së padiagnostikuar te fëmijët nga Programi për Monitorimin e Sëmundjeve Emergjente.

Kujtojmë se si Kina, ashtu dhe OBSH-ja janë përballur me kërkesa për më shumë transparencë lidhur me raportimin në fillim të pandemisë, pasi COVID-i u shfaq në qytetin kinez Wuhan në fund të vitit 2019. Me fillimin e 2020-ës u përhap në mbarë botën e nuk u kursye as Shqipëria. Javën e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë informoi zyrtarisht se nuk ka gjetur asnjë patogjen të ri apo të pazakonshëm në rastet e fundit të sëmundjeve respiratore në shtetin e madh aziatik.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48876 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE